Shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), gjenerali Herzi Halevi ka njoftuar ministrin e Mbrojtjes, Israel Katz, se do të japë dorëheqjen më 6 mars. Në një deklaratë, Halevi tha se do të largohej nga ushtria pasi pranonte përgjegjësinë e tij për dështimin e IDF në 7 tetor – data kur Hamasi sulmoi Izraelin.

Deri më 6 mars, thotë Halevi, do të përfundojë hetimi për sulmin e Hamasit si dhe do të përgatisë ushtrinë për sfidat e ardhshme. Ky vendim është marrë shumë kohë më parë, shton Halevi, duke shpjeguar se tani ka ardhur koha.

“Mëngjesin e 7 tetorit (2023), nën komandën time, IDF dështoi në misionin e saj për të mbrojtur qytetarët e Izraelit. Shteti i Izraelit ka paguar një ccmim të rëndë dhe të dhimbshëm, në jetët e humbura, në pengjet e marra dhe në ata të lënduar fizikisht dhe emocionalisht. Aktet e guximshme të shumë njerëzve – personelit të forcave të sigurisë, ushtarëve dhe komandatëve të IDF-së dhe civilëve të guximshëm – nuk ishin të mjaftueshëm për të parandaluar këtë fatkeqësi të madhe.

Përgjegjësia ime për këtë dështim të tmerrshëm më shoqëron çdo ditë, çdo orë dhe do të mbetet me mua për pjesën tjetër të jetës sime”, vazhdon Shefi i Shtabit të IDF.

“IDF ishte në gjendje të rikuperohej nga një pikënisje jashtëzakonisht e vështirë dhe të zhvillonte një fushatë intensive për më shumë se një vit e tre muaj në shtatë fronte të ndryshme. Arritjet ushtarake të IDF kanë ndryshuar Lindjen e Mesme. IDF i shkaktoi dëme të rënda krahut ushtarak të Hamasit, krijoi kushtet për kthimin e pengjeve, i dha një goditje të paprecedentë Hezbollahut dhe dobësoi ndjeshëm Iranin dhe asetet e tij rajonale”, shkroi Halevi në letër.

1200 persona raportohet të kenë humbur jetën në tokën izraelite gjatë sulmit të Hamasit në tetor 2023. Sulmi i militantëve palestinezë bëri që Lindja e Mesme të trazohej dhe në Gaza të niste një luftë e përgjakshme e cila ka shkaktuar rreth 50 mijë viktima. Armëpushimi i arritur të dielën synon të ndalë luftimet në enklavën palestineze të shkatërruar dhe të rikthejë në shtëpi pengjet izraelite që mban Hamasi prej 15 muajsh.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb