Gjykata e Landit në Frankfurt ka dënuar me gati gjashtë vjet burg një burrë që shkruante letra kërcënuese kundër figurave publike. Aleksandër M. i nënshkruante letrat me “Heil Hitler”.

Pesë vjet e dhjetë muaj burg: Ky është dënimi i vendosur nga gjykata e rrethit për të akuzuarin. Sipas tij, 54-vjeçari ishte fajtor për nxitje publike për krime, për nxitje të urrejtjes, për prishje të qetësisë publike, për përdorim të simboleve antikushtetuese, për kërcënime, për sulm ndaj një punonjësi të rendit dhe për fyerje.

Gjykata është e bindur se i akuzuari i ka shkruar vetë “të gjitha letrat e mbushura me urrejtje”, ​​tha kryetarja e trupit gjykues Corinna Distler, të enjten në Frankfurt. Procesi tregoi “sa e tmerrshme mund të jetë kur dinjiteti njerëzor cenohet përmes gjuhës”. Viktimat ndiheshin të pafuqishme dhe të traumatizuara. Gjykata u përpoq të respektonte mandatin kushtetues dhe të identifikonte autorin. “Ne ia dolëm”, tha gjykatösja. Prokuroria kishte kërkuar shtatë vjet e gjysmë burg.

I akuzuari kërkoi lirim
I pandehuri kishte e mbajti vete pledojenë dhe kërkoi lirimin e tij. Ai tha se ishte thjesht një pjesëtar i një forumi në Darknet, prandaj i ishin gjetur pjesë të letrave kërcënuese në kompjuter. Ai tha se vetë nuk ishte i përfshirë në dërgimin e letrave. Ai tha se kërcënimet nuk kishin qenë asnjëherë serioze. “Projekti NSU 2.0 ishte një grup trollesh në nivel të lartë”, tha ai. Pas një viti e shtatë muaj në paraburgim, Alexander M. e mbajti vetë pleduajenë dhe aplikoi për lirim nga paraburgimi me kusht.

Seria e letrave filloi në gusht 2018 me kërcënime me vdekje ndaj avokates nga Frankfurti, Seda Basay-Yildiz, dhe familjes së saj. Që nga marsi 2021 janë dërguar mbi 80 letra kërcënuese me e-mail, faks ose SMS. Këto letra kanë qenë të mbushura me fyerje të rënda dhe kërcënime me vdekje. Në fund ato përmbanin siglën naziste, “Heil Hitler” dhe “NSU 2.0”. NSU është akronim i “Nationalsozialistischer Untergrund” (NSU), përkthyer në shqip: Ilegaliteti Nacionalsocialist, një organizatë kjo ekstremiste, anëtarët e së cilës në periudhën 2000-2007 vranë nëntë imigrantë dhe një police gjermane.

U drejtohet kryesisht grave
Letrat kërcënuese u drejtoheshin kryesisht grave të eksponuara në jetën publike, avokate, politikane, gazetare, prokurore, por edhe artiste dhe aktiviste të të drejtave të njeriut. Kërcënime janë dërguar edhe ndaj satiristit Jan Böhmermann, prezantueses televizive Maybritt Illner dhe kabaretistes Idil Baydar.

Sipas deklaratës së prokurorisë, M. i ka marrë të dhënat personale dhe të paarritshme për publikun nga stacione të ndryshme policore. M. ka përdorur një identitet të rremë. Për shkak se këto të dhëna ishin nxjerrë nga kompjuterët e policisë, prej kohësh mendohej se edhe policët kishin pasur gisht në to. Në qendër të hetimit kishin qenë fillimisht një ish-nëpunës policie nga Bavaria dhe bashkëshortja e tij. Megjithatë, dyshimet ndaj tyre nuk u konfirmuan..

Sipas deklaratave të tyre, hetuesit e gjetën Alexander M. përmes një pune të madhe hetimore dhe kërkimeve të shumta në blogjet dhe forumet e internetit. Në prill 2020, ai u identifikua si i dyshuar. Gjyqi kundër tij në Gjykatën e Landit filloi në shkurt 2022.

Kërkohet hetim i mëtejshëm
Paditësit e përbashkët – deputetja e Bundestagut Martina Renner (Die Linke) dhe avokatja nga Frankfurti, Başay-Yıldız, kishin kërkuar sqarime të mëtejshme.

Të paktën për letrën e parë kishte dyshime se M. nuk ishte autori. Mbrojtja gjithashtu kritikoi faktin se prokuroria ia kishte lënë fajin tërësisht një autori të vetëm, duke kujtuar se ende nuk ishte sqaruar roli që kishte luajtur një nëpunës policie nga Rajoni policor nr. 1 në Frankfurt.

Yildiz shkroi në Twitter: “Gjykim i rëndësishëm me efekt sinjalizues për të gjithë ata që janë të ekspozuar ndaj urrejtjes dhe gjuhës së urrejtjes në këtë vend, por gjykata e bëri të qartë gjithashtu se historia e pyetjeve të të dhënave individuale nga punonjësit e policisë nuk mund të sqarohej.”/DW/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb