Nga: IV KALOÇI*
Në disa numra radhazi, në faqet e “Gazeta Shqiptare”, po botojmë të plota dhe me faksimilet përkatëse, një pjesë të dosjeve ku ndodhen dokumentet zyrtare të korrespondencave dhe kabllogrameve tepër sekrete të KQ të PPSH-së, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Jashtme, si dhe Komiteteve të Partive në rrethe dhe Degëve të Punëve të Brendshme, në të cilat pasqyrohet qartë qëndrimi zyrtar i shtetit shqiptar në përgjithësi dhe shoqërisë shqiptare në veçanti, ndaj Partisë Komuniste të Kinës dhe qeverisë kineze, lidhur me ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënieve politike, ekonomike dhe ushtarake prej saj në 28 korrikun e vitit 1978. Ish-aleati më i afërt i Tiranës zyrtare që nga fillimi i viteve ’60, Kina komuniste, befas do të shndërrohej në armikun më të madh ideologjik të saj, pas SHBA-ve dhe Bashkimit Sovjetik. Nëpër rreshtat e këtyre kabllogrameve dhe korrespondencave që mbajnë siglën “Tepër sekret”, vërehet qartë frika e madhe dhe paranoja e thellë që ka mbërthyer regjimin komunist dhe shefat më të lartë të kupolës së saj, që nga Enver Hoxha, Hysni Kapo, Mehmet Shehu, Ramiz Alia, Kadri Hazbiu etj., e deri poshtë në bazën e atij pushteti me zyrtarët e pushtetit lokal, të cilët e transmetonin atë ankth e pasiguri te njerëzit e thjeshtë, nxënësit e shkollave, punëtorët, e deri te fshatarësia kooperativiste. Këto dokumente që shohin për herë të parë dritën e botimit, janë një pasqyrë e qartë e gjendjes dhe e situatës së nderë në të cilën ndodhej asokohe regjimi komunist dhe Tirana zyrtare, sidomos pas “Letrës së Hapur”, drejtuar udhëheqjes kineze, që akuzonte atë për tradhti të lartë ndaj kursit dhe vijës së marksizëm-leninizmit. Në këtë kontekst kohor duket qartë e gjithë tabloja sinoptike, ku udhëheqja e lartë e regjimit komunist, e ngritur e gjitha në një alarm, ka mobilizuar të gjithë makinerinë shtetërore dhe strukturat e saj me në krye Sigurimin e Shtetit, për ta mbajtur situatën nën kontroll të plotë. Dhe kryesisht duke survejuar kundërshtarë politik të saj, të cilët i konsideronte si “armiq të klasës”, gjë e cila zë një vend kryesor në këto kabllograme, ku organet e Sigurimit të Shtetit, nëpërmjet ministrit të Punëve të Brendshme Kadri Hazbiu dhe zëvendësve të tij, Feçor Shehu, Rexhep Kolli etj., informojnë me detaje udhëheqjen e lartë, kryesisht Hysni Kapon (në atë kohë ishte sekretar i KQ të PPSH-së dhe mbulonte organet e diktaturës së proletariatit), për gjithçka që fliste “armiku i klasës” në çdo rreth të vendit. Kjo gjë dhe të tjera, duken më së miri në këto kabllograme dhe korrespondenca, ku ish -“vëllezërit kinezë”, që asokohe punonin në Shqipëri si kuadro dhe specialistë në vepra të ndryshme industriale nga jugu në veri të vendit (Kombinati Metalurgjik në Elbasan, Uzina e Ferrokromit në Burrel, fabrika e Letrës në Lezhë etj.), apo baza ushtarake (Pashalimani, Uzina e Tankeve në Shish-Tufinë) etj., tashmë janë kthyer në “agjentë, sabotatorë e komplotistë” dhe survejohen kudo dhe në çdo hap të tyre. Pajisjet, armatimet dhe gjithë teknologjia ushtarake, duke filluar nga tanket, avionët, nëndetëset, silurët, artileria e rëndë etj., me të cilat Kina prej vitesh kishte furnizuar falas Shqipërinë, tashmë rezultonin me defekte të rënda dhe të sabotuara nga “revizionistët kinezë”. Një gjë e tillë, pra ajo “tablo sinoptike” që po kalonte regjimi komunist para dhe pas prishjes me Kinën, identik, është parë shpeshherë ndër vite kur Shqipëria komuniste vendoste të shkëpuste marrëdhëniet me shtetet që deri në momentin e fundit do të ishin “aleatet” më të ngushta të saj, si anglo-amerikanët, Jugosllavia e Titos dhe Bashkimi Sovjetik i Stalinit, dhe atyre që e pasuan atë. Seria e miqve-armiq nisi me misionet anglo-amerikane, të cilat, derisa u dëbuan nga vendi në nëntor të vitit 1946, ishin çlirimtarë dhe kontribuues të vërtetë të LANÇ-it, ndërsa më pas u kthyen në një nga subjektet më të urryera dhe më të padëshiruara për komunistët shqiptarë. E njëjta gjë do të ndodhte me jugosllavët, të cilët, kur u dëbuan nga Shqipëria në vitin 1948, u konsideruan agjentë të UDB-së së Titos. Për të vijuar më pas me sovjetikët, “aleatin më të dashur” për komunistët shqiptarë, të cilët pas vitit 1961, u konsideruan nga Tirana zyrtare si revizionistët më të rrezikshëm që kishte njohur bota deri në atë kohë. Dhe kjo gjë do të përsëritej mot a mot me kinezët dhe do bëhej publike zyrtarisht atë fund korriku të nxehtë të vitit 1978.
(vijon nga numri i kaluar)
Në pjesën e katërt të këtij shkrimi të botuar në numrin e djeshëm, u njohëm me vazhdimin e letrës informative të Sekretarit të parë të Komitetit të Partisë të rrethit të Vlorës, Gaqo Nesho, i cili i bënte me dije udhëheqjes së lartë të Komitetit Qendror të PPSH-së mbi gjendjen në rrethin e Vlorës para dhe pas prishjes së marrëdhënieve me Republikën Popullore të Kinës, duke u pasqyruar të dhënat që kishte nga Dega e Brendshme e atij rrethi, kryesisht mbi veprimtarinë e elementit “armik”. Po kështu, në shkrimin e djeshëm u njohëm edhe me informacionin e Drejtorisë së Parë të Ministrisë së Brendshme, e cila njoftonte udhëheqjen e lartë mbi komentet që bëheshin në burgun e Burrelit, nga “armiqtë” Fadil Paçrami, Muhamet Prodani dhe Shyqëri Këllezi. Ndërsa në numrin e sotëm, po botojmë letrën dërguar Hysni Kapos, ku sekretari i Komitetit të Partisë së Ministrisë së Mbrojtjes, e informon mbi sabotimet e kinezëve në bazën e Pashalimanit.

Shoku Hysni
Sekret
Në bazë të porosive që ka dhënë Komiteti i Partisë së MMP për qëndrimin e kujdesshëm ndaj specialistëve kinezë, Byroja e Partisë e Detashmentit të Palermos po evidenton me kujdes qëndrimet dhe veprimtarinë e tyre. Nga informacionet që na kanë dërguar dhe nga takimet që kemi pasur me drejtuesit e Detashmentit, ngrenë disa probleme për specialistët kinezë që janë në këtë objekt.
Specialistët kinezë nuk janë të lidhur me punën që bëhet në këtë objekt; më parë ata dilnin rreth orës nëntë në punë, kohët e fundit dalin në interval 2-3 ditë një herë, ku qëndrojnë rreth 20-30 minuta, dhe kthehen në vendin e pushimit.
Kohët e fundit që kanë pasur festën e pranverës, datë 7.2, deri më 15.2.1978, nuk kanë dalë fare nga dhomat e tyre, bile dhe ushqimin e kanë ngrënë nëpër dhoma, sidomos darkat, duke pretenduar se në Kinë festa e pranverës është pesë ditë dhe fshatarët e festojnë 15 ditë.
Nga ana e tyre nuk ka fare preukupacion për objektin që po ndërtohet, por i shqetëson më shumë puna që po bëhet jo në përputhje me projektin dhe parashikimet e tyre.
Specialistët kinezë në këtë objekt kanë hyrë në bisedime me ushtarë dhe kuadro dhe kanë bërë pyetje të ndryshme. Kështu p.sh., më datë 14.2.1978, përkthyesi kinez Li, i bëri këto pyetje shoqes K.Fejzo që shërben në mensën e kinezëve: “Si bëhen dhënia llogari dhe zgjedhjet në parti këtu te ju?” Shoqja K. F. iu përgjigj se “çdo komunist këtu te ne jep llogari para organizatës bazë të Partisë dhe përpara masës se si ka punuar për zbërthimin dhe zbatimin e direktivave të Partisë, se si punon dhe lufton në praktikë, si e zhvillon luftën e klasave në të gjitha drejtimet, si e bën luftën kundër imperializmit dhe revizionizmit.” “Po kërkesën për t’u zgjedhur në udhëheqje si sekretar, kush e aprovon?” “Tek ne, – i përgjigjet shoqja K.F., – nuk bën njeri kërkesë për t’u zgjedhur, por komunistët vlerësojnë punën e secilit, aftësitë dhe e propozojnë për t’u zgjedhur sekretar organizate.”
“Kërkesën për t’u zgjedhur në Byro, kush e bën, dhe Byroja dhe sekretari si japin llogari?” Për këtë pyetje iu dha e njëjta përgjigje si dhe për sekretarin e organizatës bazë së partisë.
Ai bëri pyetje se si bëhet votimi me vota të fshehta apo me ngritje dore. Në përgjigje të kësaj pyetjeje ajo i tha se: “Ne votojmë për ata shokë që meritojnë të jenë në udhëheqjen e masave. Zgjedhjet dhe votimi bëhen sipas statutit të PPSH-së dhe jo me gisht, siç e thua ti.”
Përkthyesi kinez, Li, pyeti edhe për procedurën e provimeve nëpër shkolla. Për këtë pyetje iu tha se “te ne provimet bëhen në bazë të urdhëresave e rregulloreve që nxjerr Ministria e Arsimit”, dhe iu shpjegua procedura e një provimi.
Më datë 15.2.1978, po ky përkthyes hyn në bisedim me dy ushtarë dhe një oficer dhe iu bëri atyre disa pyetje, si:
Në ç’moshë ngrihen ushtarët? Sa vjet qëndrojnë në ushtri? Se në repart janë të gjithë ushtarë të rinj, apo ka dhe të vjetër? E mbaruat stërvitjen apo jo?
Kuadri oficer, Q.Skuqi, dhe ushtarët B.Jaupi dhe E.Selishta që morën pjesë në këtë bisedë, iu përgjigjën se “jemi të moshës 19 vjeç”, se në ushtri qëndrojnë 2-3 vjet dhe sa të ketë nevojë atdheu, se në reparte kanë ushtarë të rinj dhe të vjetër dhe se vazhdojnë punën dhe stërvitjen. Mbasi iu dhanë përgjigjet, sepse ai pyeti disa herë, u largua i mërzitur.
Në fund të muajit janar, shokët e Komandës së Detashmentit, morën takim me specialistët kinezë mbi përfundimin e një objekti që është i lidhur me montimin që do bëjnë vetë kinezët sipas marrëveshjes dhe u ngritën problemet: e pajisjes me aparatura të objektit, që ata të verifikojnë zbatimin e projektit kinez për këtë objekt, dhe problemet e cilësisë së zbatimit në objekt.
Zv.përgjegjësi i grupit (mbasi përgjegjësi ka gjashtë muaj që është larguar gjoja me leje të zakonshme) tha se do të plotësojnë patjetër detyrimet si për dërgimin e pajisjeve, ashtu dhe të specialistëve. Më vonë kinezët thanë se “këto kërkesa bëjani ambasadës sonë me anë të Ministrisë”.
Gjithashtu theksojmë se kohët e fundit, kinezët që po punojnë në Porto-Palermo kanë filluar të lëvizin jashtë territorit të repartit pa mjete dhe të pashoqëruar. Kohët e fundit është vërejtur se kanë blerë sasi të mëdha varëse rrobash (siç thotë shoferi i tyre, mbi 100 copë), legenë kauçuku dhe sende të tjera, të cilat mendojnë se mund t’i përdorin për tregti. Me vendosjen e përforcuesit në këtë zonë, antenat e televizorëve i kanë drejtuar nga Italia dhe Greqia. Midis tyre ka pasur dhe grindje dhe këto kohët e fundit kanë bërë kërkesa për shumë lloje ushqimesh… Ka pasur dhe raste kur në kuzhinën e tyre kanë vjedhur dhe çokollata e gjëra të tjera ushqimore.
Për këto veprime dhe qëndrime të specialistëve kinezë, nga ana e Komitetit të Partisë së MMP u janë dhënë porosi shokëve të detashmentit që të jenë të kujdesshëm me shokët kinezë, të ndjekin me vigjilencë veprimet e tyre dhe t’u jepen përgjigje në bazë të porosive të dhëna.
Për sa u përket punimeve në objekt, nga ana jonë janë porositur drejtorët përkatës të MMP për të marrë masa për vazhdimin e mëtejshëm të punimeve, të cilët herë pas here kanë dërguar grupe studimi dhe punimet po vazhdojnë sipas varianteve tona.
20.2.1978 Ali Vukatana (firma)
Shokut Ramiz për shokun Gafur
Të mendojmë për ndarjen e punës; ashtu t’i thuhet të ndjekin me kujdes porositë e dhëna. Të jenë vigjilentë… Jua tha Aliut.
14.IV.1978 Hysni Kapo
Tiranë, më 13.4.1978 Ali Vukatana
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: