Kreu i Komisionit parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, Eduart Shalsi ka kërkuar nga shoqëria civile të paraqesin propozimet e tyre deri më datë 25 janar të vitit 2017.

Shalsi shkruan se duke qenë se Presidenti i Republikës Bujar Nishani ktheu për rishqyrtim në Palament ligjin e mbetjeve “do të dëshironim të përfitonim nga mundësia e dhënë për rishqyrtim, për të përthithur propozime konkrete për përmirësim të ligjit nga gjithë grupimet e interesuara, parti politike, ligjvenës të veçantë, shoqata mjedisore, shoqata të biznesit, përfaqësues të medias, ekspertë, apo qytetarë të interesuar”.

Në fund të letrës Shalsi shkruan se propozimet që do paraqiten në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë e Mjedisin do të pranohen deri më datë 25 të vitit të ardhshëm.

Letra e plotë

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,
Sikundër jeni në dijeni, Presidenti i Republikës, nëpërmjet Dekretit nr. 9765, datë 14.10.2016, ktheu për rishqyrtim në Parlament, Ligjin nr.92/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10463. datë 22.09.2011,”Për menaxhimin e integruar të mbetjeve””. Arsyetimet e paraqitura nga Presidenti, por edhe ato të një pjese të Shoqërisë Civile, janë bërë objekt debatesh në ambientet politike, mediatike, mes shoqatave mjedisore dhe atyre të biznesit. Ky debat i mëtejshëm i ligjit ka sjellë në vëmendeje ide dhe propozime për përmirësim të mëtejshëm të ligjit.

Megjithëse kemi synuar të hartojmë një projektligj në konsultim sa më të gjerë dhe sa më gjithpërfshirës, megjithëse Komisioni Europian, në përgjigjen e kthyer në vijim të kërkesës tonë, e vlerësoi projektligjin aspak në shkelje të acquis communautaire, sikundër pretendohej në një prej argumentave të Presidentit të Republikës:

– duke qenë të vetëdijshëm për ndjeshmërinë publike ndaj këtij projektligji;
– duke vlerësuar rëndësinë e ligjit për industrinë e riciklimit dhe ekonominë e vendit në përgjithësi;
– duke qenë të përgjegjshëm për t’i dhënë vendit një ligj të standardeve më të mira dhe, për të mos lënë pa u përfshirë këdo që dëshiron të kontribuojë në përmirësimin e tij;
– do të dëshironim të përfitonim nga mundësia e dhënë për rishqyrtim, për të përthithur propozime konkrete për përmirësim të ligjit nga gjithë grupimet e interesuara, parti politike, ligjvenës të veçantë, shoqata mjedisore, shoqata të biznesit, përfaqësues të medias, ekspertë, apo qytetarë të interesuar.

Në mënyrë të veçantë, do të ftonim për të paraqitur me shkrim propozimet e tyre, subjektet e përfshira tashmë në mënyrë aktive në këtë debat. Lutemi që propozimet Tuaja të paraqiten me shkrim në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, jo më vonë se data 25 Janar 2017. Më pas Komisioni do të ftojë në një seancë të posaçme dëgjimore të gjithë grupimet e interesuara për një diskutim të mëtejshëm mbi bazën e propozimeve konkrete.

Duke Ju falënderuar për bashkëpunimin,
Eduard SHALSI
Kryetar i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin
 (e.f/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb