Kryetari i Partisë Kristiandemokrate, njëherësh deputet, Mark Frroku konsiderohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, si person i rrezikshëm për t’u larguar jashtë Shqipërisë, pasi disponon dy shtetësi.

“Panorama” duke zbardhur detaje nga relacioni shoqërues të kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e deputetit Mark Frroku, shkruan se ndaj deputetit kërkohet të merren masa shtrënguese, pasi është një person që ka rrezikshmëri shoqërore. “Siç dihet botërisht, shtetasi Mark Frroku, përveç shtetësisë shqiptare, ka edhe një shtetësi tjetër. Në këto kushte, kërkesa e organit të akuzës është për një masë sigurimi të karakterit shtrëngues për këtë shtetas, pasi në këto kushte ai mund të rrezikojë të largohet nga territori i Shqipërisë. Rrezikshmëria shoqërore e këtij personi, duke marrë parasysh pozicionin që ai mban si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, në raport me publikun dhe me institucionet ndërkombëtare është tejet e lartë, duke iu referuar veprimeve të kundërligjshme dhe sociale të rrezikshme”, thuhet në shkresën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

PROVAT

Organi i akuzës ka dyshime të bazuara në prova se deputeti Frroku është një nga organizatorët e inskenimit të tentativës për vrasje dhe për këtë arsye, arrestimi kërkohet për të dëshmuar forcën e institucioneve ligjzbatuese. Më tej, Prokuroria thekson se leja për heqjen e lirisë dhe kontrollin e banesës së deputetit Frroku bëhet dhe për shkak të dyshimeve se ai mund të ketë fshehur prova lidhur me çështjen. “Nga ana tjetër, Prokuroria vlerëson se ndaj deputetit Frroku, për të cilin ka dyshime të bazuara në prova se është një nga organizatorët e inskenimit të tentativës së vrasjes, është i nevojshëm aplikimi i masës se arrestit. Kjo, për të dëshmuar forcën e institucioneve ligjzbatuese, në rastet kur vihen përballë sfidave të integritetit dhe profesionalizmit.

Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, për të cilin Prokuroria ka paraqitur kërkesën për autorizim për arrestim, heqje lirie dhe kontroll personal e banese, vlerësojmë se me veprimet e tij të dyshuara, ka cenuar imazhin e institucionit ku ushtron funksionet e tij, si edhe të autoriteteve shqiptare në përgjithësi. Për këtë arsye, e konsiderojmë të nevojshme që Kuvendi i Shqipërisë të mbështesë kërkesën e Prokurorisë, për të dëshmuar para opinionit publike vendas dhe partnerëve ndërkombëtarë se forca e ligjit është njëlloj për të gjithë personat që kryejnë vepra penale”, thuhet në relacionin e Prokurorisë.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: