Kryeministri Edi Rama i ka dërguar një letër urimi homologut të tij kosovar, Albin Kurtit, i sapo zgjedhur kryeministër i Qeverisë së Kosovës.

Rama uron Kurtin për detyrën e re në drejtimin e vendit, teksa riafirmon vendosmërin për të zgjeruar dhe intensifikuar marrëdhëniet mes dy vendeve.

Ai thekson se ekzistojnë të gjitha mundësitë dhe potencialet për ndërmarrje të rëndësishme e projekte të guximshme në shumë sektorë. Kryeministri Rama e ka ftuar Kurtin për të vizituar Shqipërinë në një kohë të përshtatshme për të. Letra i është dorëzuar Kurtit nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

LETRA E PLOTË
Shkëlqesia Juaj, I dashur Albin,
Zgjedhja Juaj në detyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës më jep kënaqësinë t’Ju përcjell urimet e mia për sukses në drejtimin e vendit dhe përballimin e sfidave të qeverisjes.
Duke riafirmuar vendosmërinë time dhe të Qeverisë që unë kryesoj për t’i zgjeruar e intensifikuar më tej marrëdhëniet tona, unë besoj fort se tashmë ekzistojnë të gjitha mundësitë dhe potencialet për ndërmarrje të rëndësishme e projekte të guximshme në shumë sektorë, përfshirë përballjen e përbashkët me COVID-19. Këto ndërmarrje do t’i kontribuojnë përmirësimit të jetesës dhe përparimit e integrimit më të shpejtë të shqiptarëve.
Unë mbetem gjithashtu besimplotë se Ju dhe ekipi Juaj qeverisës do t’i kapërceni me sukses sfidat me të cilat përballet Republika e Kosovës në përparimin e saj të gjithanshëm demokratik e integrues në rajon dhe më gjerë, drejt rrugëtimit të saj euroatlantik.
Me urimet më të mira për sukses të Kabinetit Tuaj qeveritar dhe me ftesën e përzemërt për të vizituar Shqipërinë në një kohë të përshtatshme për Ju, lutem pranoni, Shkëlqesia Juaj, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Sinqerisht Edi Rama.

Letra Rama
Letra Rama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb