TIRANË

Ish-deputeti i LSI-së, Endrit Braimllari tha nga studioja e rubrikës “Opinion” në News  24 tha se qeveria dhe kryeministri Edi Rama kanë humbur komunikimin me njerëzit.

Duke komentuar letrat publike që kryeministri Edi Rama ia ka dërguar liderit të selisë blu, Endrit Braimllari tha se kjo formë e zgjedhur prej kryeministrit nuk e ndihmon aspak komunikimin, por sipas tij, kjo formë e zgjedhur nga shefi i ekzekutivit  synon që të fusë në konflikt qytetarët shqiptarë.

Mes tjerash ai pohon se letrat e Ramës nuk tregojnë gjë tjetër, por vetëm frikën dhe ankthin ku ndodhet kryeministri. Sipas Braimllarit, qëndresa e opozitës së bashkuar do të jetë edhe më e fortë, ndërsa shtoi se qëllimi kryesor është rivendosja e sistemit demokratik në vend.

“Kjo qeveri dhe Edi Rama ka kohë që kanë humbur komunikimin me qytetarët dhe ndaj protestat e opozitës janë gjithmonë në rritje. Sot nuk na shqetëson se çfarë bën Edi Rama, por na shqetëson halli i shqiptarëve. Sot kemi një sistem  me arrogancë dhe duhet shembet. Thirrjet kanë qenë që protesta të jenë paqësore dhe qendrestare dhe kësaj here ka pasur më pak provokatorë të urdhëruar nga Sandër Lleshaj. Ne kemi bërë  thirrje dhe kemi mbajtur nën kontroll  protestuesit.  Edi Rama është në krizë dhe është i frikësuar nga revolta popullore, por edhe nga mbështetja që ka sot opozita. Nuk janë letra që afrojnë komunikimin. Janë letra që nxisin dhunë mes shqiptarësh. Është provokim ndaj opozitës dhe qytetarëve.

Vendi është pa Gjykatë Kushtetuese për fajin e Edi Ramës. Po të ishte marrë masa sot nuk do të ishin në këtë gjendje. Edi Rama i ka shkatërruar institucionet. Beteja jonë është me sistemin dhe ne jemi në betejën për të instaluar demokracinë. Ne vend ka rënë demokracia për shkak të Edi Ramës.Ne jemi në komunikim me PD dhe  me frontin opozitar dhe ka një bashkëbisedim pozitiv. Letrat e Edi Ramës janë shenja paniku që ai ka. Ai ka ngelur vetëm. Edhe socialistët e kanë braktisur.

E kemi thënë edhe më parë: LSI është tej mase e konsoliduar dhe kemi objektivat për t’i shërbyer qytetarëve. Sot është marrëveshje kombëtare, e cila do të çlirojë Shqipërinë nga ky sistem dhe këtë mund ta bëjë vetëm krijimi i qeverisë tranzitore. Jemi të vendosur në rrugën tonë dhe nuk ka zgjedhje në qershor pa opozitën dhe ne i kemi të gjitha shanset që të ndalojnë instalimin e monizmit në vend. Protesta do të jenë masive, qëndrestare dhe mbi të gjitha qytetare”-tha ai.

 (n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb