Dokumentet sekrete të Petro Dodes dhe Feçor Shehut, dërguar KQ të PPSH-së të vitit 1968, në lidhje me bazën e Pashalimanit: “Duke shfrytëzuar çrregullimet në bazë armiqtë i vunë zjarrin”. Sot për herë të parë ekskluzivisht në “Gazeta Shqiptare” po botojmë të plota tri relacione sekrete të Komitetit të Partisë të rrethit Vlorë, Drejtorisë së Parë dhe vetë Ministrisë së Brendshme, lidhur me ngjarjen e djegies së depos së mallrave dhe municioneve luftarake të marinës në bazën ushtarako-detare të Pashalimanit. Këto relacione u përkasin muajve gusht-shtator të vitit 1968, periudha në të cilën regjimi komunist i Enver Hoxhës do të vendoste përfundimisht daljen e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës dhe KNER-i, pas pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë.

Vjeshta e vitit 1968 do t’i gjente Forcat e Armatosura të RPS së Shqipërisë në një situatë alarmi dhe gatishmërie absolute përsa i përket aftësisë mbrojtëse të tyre. Psikoza e një pushtimi të mundshëm ushtarak të territorit shqiptar nga Forcat e Armatosura të Traktatit të Varshavës të udhëhequra nga Bashkimi Sovjetik, nuk do të toleronte as gabimin më të vogël në aspektin e ruajtjes dhe “vigjilencës” ndaj kazermave dhe reparteve ushtarake të ushtrisë shqiptare. Dhe sidomos kur do të bëhej fjalë për magazinën gjigante të një prej bazave ushtarako-detare më të madhe dhe më të rëndësishme të marinës shqiptare, asaj të Pashalimanit në Vlorë. Dokumentet në fjalë janë të përpiluara respektivisht nga Sekretari i Parë i Partisë për rrethin e Vlorës, Petro Dode, dërguar KQ të PPSHsë mbi djegien aksidentale ose jo të magazinës dhe depos së kësaj baze ushtarake.

Ndërsa dy letrat e tjera i përkasin drejtorit të Drejtorisë së I, Feçor Shehu dhe ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu, të cilët hartojnë dy procesverbale në lidhje me këtë ngjarje, që i dërgohen e para MPB-së dhe e dyta (e Hazbiut) Hysni Kapos, duke e vënë plotësisht në dijeni për detajet e këtij aksidenti dhe për masat drastike që do të ndërmerreshin në të ardhmen jo vetëm nga repartet ardhmen jo vetëm nga repartet ushtarako-detare të Marinës, por edhe nga operativët e Sigurimit të Ushtrisë (që varej nga MPB-ja). Në këto tri relacione dhe dokumente të Komitetit të Partisë së rrethit Vlorë, Drejtorisë së I dhe vetë Ministrisë së Brendshme drejtuar KQ të PPSH-së vërehet qartë mënyra sesi këto tri institucione përpiqen të shpjegojnë me detaje të gjitha shkaqet dhe pasojat e kësaj ngjarjeje aksidentale ose jo dhe para Sekretarit të KQ, Hysni Kapos. Të tilla ngjarje do të ndodhnin shpesh gjatë viteve të diktaturës komuniste në Shqipëri, duke implikuar jo pak herë në to edhe persona, të cilët nuk do të kishin të bënin fare me këto aksidente. Vetë Ministria e Punëve të Brendshme dhe Sigurimi i Shtetit do të kishin në brendësi të tyre disa drejtori përkatëse, të cilat do të merreshin me hetimin dhe zbardhjen e këtyre ngjarjeve. Dega e Hetuesisë, Mbrojtjes së Ekonomisë Socialiste, ajo e Sigurimit të Ushtrisë dhe Industrisë Ushtarake (të gjitha në varësi të MPB-së) për 47 vjet me radhë do të mbikëqyrnin vazhdimisht të gjithë kundërshtarët realë apo imagjinarë të regjimit komunist, sidomos në sektorin e mbrojtjes.

PARTIA E PUNES SHQIPERISE KOMITETI I PARTISE SE RRETHIT
Vlorë, më 5.10.1968
VLORE Nr. 395 Sekret Ekzemplar Nr.1
Lënda: Mbi djegien e depos në Pashaliman
KOMITETIT QENDROR TE P.P.SHQIPERISE TIRANE

Siç kemi njoftuar, më 26.IX.1968 rreth orës 21 e 30, në Pashaliman u dogj një depo ku kishte materiale të ndryshme të NSHN “Perlat Rexhepi” dhe repartit të Marinës Luftarake. Kjo është një ngjarje e rëndë politike mbi të gjitha dhe për arsye të vendit dhe kohës kur ndodhi, veç kësaj dhe dëmi material është i madh. Megjithëse nuk dihet akoma me saktësi, u dogjën ose dolën jashtë përdorimit materiale me një vleftë prej rreth 500.000 Lr. Bindja e deritanishme është se kemi të bëjmë me një diversion të shkaktuar nga elementë armiq. Ka edhe një variant tjetër të mundshëm, por jo bindës, ai i djegies me qëllim nga ana e magazinierit dhe furnitorit, të cilët mund të kenë vjedhur dhe kanë shkaktuar djegien për të humbur gjurmët dhe që përsëri është veprim armiqësor. Hetimet për të zbuluar shkaqet dhe njerëzit që dogjën depon vazhdojnë.

Megjithëkëtë, ne kemi arritur në disa konkluzione, ku më kryesoret janë këto: Ka pasur mungesë të theksuar vigjilence si nga drejtuesit, si nga organizata bazë e Partisë së NSHN-së, ashtu edhe nga organizatat e Partisë dhe komanda e repartit ushtarak. Janë shkelur udhëzimet që kanë të bëjnë me organizimin, funksionimin dhe sistemimin e materialeve në magazina. Në një kapanon të ndarë me tri depo me kompesatë ose pupulit ishin tri magazina, një e NSHN së dhe dy të repartit ushtarak. Brenda në depo ishte vendosur një zyrë ku rrinin magazinierët, normistët, furnitorët etj. Në zyrë hynin e dilnin punonjës të ndryshëm dhe dyert e magazinave ishin të pasiguruara. Në këtë zyrë luhej shah, pihej duhan etj. Letra e Petro Dodes: “Nuk ishte marrë asnjë masë për ruajtjen e bazës” Nuk ishin marrë masat e duhura nga reparti ushtarak për të pasur në gatishmëri mjetet e ndryshme kundër zjarrit, mbi të gjitha nuk ishte në gatishmëri makina zjarrfikëse. Të gjitha këto kanë lënë mundësi veprimi për elementët armiq. Theksojmë se në bazë gjatë këtyre dy vjetëve të fundit ka pasur edhe tri raste të tjera zjarri, si ai i nëndetëses, në depon e pambukut dhe një zjarr në mol.

Nuk ka pasur kontroll rigoroz mbi njerëzit që hyjnë në këto objekte. Në organizatën e Partisë doli, p.sh. se aty vazhdonin të hynin njerëz që kishin punuar më parë në bazë, por që ishin larguar apo përjashtuar më pas dhe figuronin ende në listën që mbahej në post-bllok. Drejtuesit e NSHN-së, megjithëse kanë shkuar disa herë në objektin që ishte duke u ndërtuar, nuk kanë ndihmuar dhe të marrin masa për pjesën e tyre për rregullimin e anomalive që ka pasur në objekt. Drejtuesit e bazës nuk kanë marrë masat e nevojshme të sigurimit për objektet e ndryshme të bazës. Mbas ngjarjes që ndodhi, u morën një seri masash të shpejta. U bë mbledhja e Byrosë së Komitetit të Partisë, u morëm masa për sistemimin dhe rregullimin e depove të tjera të bazës. U bë mbledhje me drejtorët dhe sekretarët e organizatave bazë të Partisë së ndërmarrjeve ekonomike për të nxjerrë mësime nga kjo, për të forcuar vigjilencën revolucionare dhe për të kontrolluar dhe për të marrë masa serioze dhe të shpejta për anomalitë që mund të kishte në ndërmarrjet e tyre. Në NSHN “Perlat Rexhepi” u bë mbledhja e organizatës bazë të Partisë së kantierit të Pashalimanit. Janë marrë masa që depo e djegur të jetë gati jo më vonë se data 10 tetor. Masa të tilla Partie dhe në rrugë shtetërore janë marrë edhe në repartin ushtarak të bazës. Mbasi të nxirren edhe disa të dhëna të tjera, nga hetimet e të cilave po vazhdojnë, Byroja e Komitetit të Partisë do ta analizojë në mënyrë të veçantë këtë çështje për të nxjerrë mësimet dhe detyrat e tjera të nevojshme, lidhur kjo edhe me disa raste të tjera të zjarrit që kemi pasur gjatë kohëve të fundit. Nga ana e Organeve të Drejtësisë deri tani janë arrestuar 3 veta: Barjam Barjami, magazinier; Aleko Pango, teknik ndërtimi si dhe komunisti Sherif Daupaj, normist, i cili u largua i fundit bashkë me Aleks Pangon nga zyra ku kishin pirë cingare dhe ku kishin luajtur shah dhe lanë hapur dritaren e magazinës. Theksojmë se arrestimi i komunistit Sherif Daupaj u bë pa autorizimin e Byrosë së Komitetit të Partisë. Për këtë iu tërhoq vërejtje shokëve të Degës dhe të Prokurorisë që të respektojnë rigorozisht porositë e Komitetit Qendror të PPSH-së mbi procedurat e arrestimit të komunistëve. Përveç këtyre, është lejuar të bëhen hetime edhe ndaj anëtarit të Partisë, Ismet Bajrami, me detyrë furnitor në kantierin e ndërtimit, që është kushëri i parë i magazinierit që u arrestua dhe që furnizonte magazinën që u dogj.

SEKRETARI I I K.P RRETHIT PETRO DODE (firma) ……………………………………………………………………………………………………………. Nr. 1915 “TEPER SEKRET” Ekzemplar Nr. 1 Tiranë, më 4.X.1968

INFORMACION
Mbi zjarrin e shkaktuar në depon e materialeve të ndërtim-montimit dhe materialeve të uzinës së Flotës në Pashaliman Më datën 26 shtator 1968 në orën 21 e 53′ ra zjarri në depon e lartëpërmendur, ku u dogjën materiale të ndryshme që ndodheshin në të, të cilat kapin një vleftë mbi 1 milion lekë. Nga analiza që ju bë në vend kësaj ngjarjeje, arrijmë në konkluzion se e ky akt është kryer: Relacioni i Feçor Shehut: “Në bazën e Pashalimanit ka pasur edhe aksidente të tjera” Nga persona armiq me qëllim kundër-revolucionar, duke shfrytëzuar çrregullimet e mëdha që kanë ekzistuar në bazën e Pashalimanit. Vlen të theksohet se objekti ushtarak, qysh nga prilli i vitit 1967, kur u shfaq një zjarr në një nëndetëse, ka pasur edhe tri raste të tjera zjarri. Një person që ndiqet nga Sigurimi në katundin Dukat, para se të digjej kjo depo, ka shprehur dëshirën për një akt të tillë.
DREJTORI I DREJTORISE SE I FEÇOR SHEHU
(firma) (Vijon)
(ed.me/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: