Të mërkurën Qeveria gjermane tha se ka ndaluar tri grupe të lidhura me Hezbollahut, lëvizjes libaneze që kundërshton Izraelin. Policia gjermane kreu një operacion në shtatë rajone. Ministri i Brendshëm, Horst Seehofer tha se “grupet financonin organizatën terroriste Hezbollah”.

“Kushdo që mbështet terrorin nuk do të jetë i sigurt në Gjermani. Ata nuk do të gjejnë strehë në vendin tonë”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme përmes një postimi në Twitter. Hezbollah është shpallur grup terrorist nga Izraeli dhe pjesa më e madhe e Perëndimit. Më 23 qershor 2020, edhe Qeveria e Kosovës, kishte shpallur si organizatë terroriste, grupin militant të Libanit, Hezbollah, përfshirë të gjitha formacionet e saj, si politike ashtu edhe ato ushtarake.

Grupi militant u themelua në vitet 1980 për të luftuar pushtimin e Libanit jugor nga ana e Izraelit. Ky grup gëzon mbështetjen e Iranit dhe ka shtrirë aktivitetin e tij në Siri, Irak dhe Jemen. Hezbollahu tani ka një arsenal më të fuqishëm se ushtria kombëtare libaneze.

Autoritetet gjermane janë të shqetësuara edhe për një rritje të antisemitizmit. Gjatë një proteste pro-palestineze në Berlin pati përpleshje dhe arrestime. Javën e kaluar, flamujt izraelitë u dogjën para sinagogave në Bon dhe Muenster. “Demokracia jonë nuk do të tolerojë demonstrata antisemite”, kishte thënë zëdhënësi i kancelares gjermane, Angela Merkel. Vitin e kaluar, Gjermania ka njoftuar se ka ndaluar aktivitetet e krahut politik të Hezbollahut në Gjermani. Masa u mirëprit nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.

Sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë gjermane, në këtë vend janë rreth 1.000 mbështetës të Hezbollahut.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: