Kanë mbetur edhe disa detaje për t’u sistemuar, por mediat italiane e quajnë të kryer: Calhanoglu do të jetë një lojtarë i Interit.

Sipas mediave përtej Adriatikut, turku do t’i nënshtrohet nesër vizitave mjekësore dhe do të lidhë një kontratë me Interin për tre vite, ku do të përfitojë në total 15 milionë euro plus bonuse.

Mesfushori është në skadencë kontrate me Milan dhe Interi ka siguruar shërbimet e tij pa shpenzuar as edhe një cent nga operacioni.

Milan, kishte bërë një ofertë për numrin 10-ë të tyre, me një shifër që nuk i kalonte 4 milionë eurot në sezon, por mesa duket, turku e ka refuzuar ofertën dhe ka vendosur të kalojë në anën tjetër të Milanos, në atë zikaltër.

27-vjeçari pëlqehet shumë nga trajneri i sapoardhur i Interit Simone Inzaghi, që e konsideron atë si perfekt për skemën e tij. Ai pritet ta përdorë fantazistin në të njëjtin pozicion që vendoste Luis Alberton te Lazio.

Pas atakut kardiak të Eriksen dhe Joa Marios, Nainggolan, e Vecinos gjithnjë e më larg zikaltërve, një ndërhyrje në repartin e mesfushës konsiderohej si emergjente për drejtuesit e kampionëve në fuqi.

Kështu pra, Inter arrin të sigurojë pa para dhe me një marrëveshje fenomenale një nga mesfushorët më të mirë të “Serie A”, duke fituar duelin e parë në jashtë fushave, ndaj Milanit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb