Policia e Mirditës ka vendosur në pranga një 24-vjeçar, pasi iu gjetën e sekuestruan 3 kg e 200 gramë drogë. I arrestuari është shtetasi D. L., banues në Repas.

Droga i është gjetur të riut në makinë, pasi policia kishte informacione konkrete për këtë veprimtari të paligjshme. Ndërkohë materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Njoftimi i Policisë:

Mirditë

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.


Sekuestrohen 3 kilogramë e 200 gramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, vihet në pranga poseduesi.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas që qarkullonte me automjet dhe posedonte lëndë narkotike, shërbimet e DVP Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mirditë, kanë organizuar punën dhe në Reps, Mirditë, kanë lokalizuar mjetin e dyshuar, me drejtues shtetasin D. L.

Gjatë kontrollit në mjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 3 kilogramë e 200 gramë lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa.

Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit D. L., 24 vjeç, banues në Reps, Mirditë.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb