Një rrëfim i denjë për filmat e “Hollywood”. E tillë është dëshmia e një prej djemve të mitur të Xherxh (Gjergj) Laçit, i cili prej disa vitesh mbante peng dhe dhunonte familjen e tij. Ngjarja në fjalë u zbulua tre ditë më parë, ndërsa protagonist ka një radikal 52-vjeçar që ka mbajtur peng për disa vite gruan dhe dy djemtë e mitur.

Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për BalkanWeb dosjen, ku jepet dëshmia e një prej djemve para oficerëve të policisë se prej 3 vitesh ai bashkë me vëllanë nuk dilnin më nga banesa, ndërsa shpesh herë kishin rënë pre e dhunës. Mes të tjerash djali tregoi edhe disa episode të dhunës së rëndë që babai ushtronte ndaj nënës së tij, duke i vënë dhe thikën në fyt.

“Prej 3 vitesh babi i tij Xherxh nuk ka lejuar te dalë asnjeri nga shtëpia ku banonin, atë se bashku me vëllain e mitur dhe mamanë e tij. Babai i tij nuk i ka lejuar te dalin fare nga shtëpia, duke i kërcënuar se ” ai e di me mire, se te tjerët duan t’i vrasin, ndërsa ai ka fituar”. Që pas kthimit te Xherxhit nga Italia, ai prej 20 vitesh nuk ka punuar me dhe se fundmi ka filluar te ushtrojë me shpesh dhe fenë myslimanë. Fenë e ka praktikuar më shpesh 4 muajt e fundit, ku shkonte çdo të premte në xhaminë e Medresesë, ndërsa prej javësh e ka shkëputur nuk ka shkuar me.

Asnjeri prej prindërve te tij nuk punon. Babai ishte i dhunshëm ndaj mamasë së tij, kundrejt te cilës ka ushtruar shpesh here dhune në sy të tyre, duke e goditur me shkop, me shuplaka me grushta, madje i ka treguar se i ka vene dhe thikën ne fyt. Ata jetonin brenda 4 mureve pa energji elektrike, pasi ia kishin ndërprerë. Ata ushqeheshin vetëm kur i çonin ushqim dhe ua linin tek dera familjarët si xhaxhai nga Dibra, gjyshi ose daja i tij.”, thuhet në dosjen hetimore. Ndër të tjera djali tha se ai dhe vëllai i tij ishin në gjendje të rënduar psikologjike (15 dhe 17 vjeç).

“Babai mbante thika në shtëpi, e herë pas here kur vinte rrotull nëpër shtëpi i mbante të varura ne brez.”, thuhet më tej në dosje. Një tjetër moment i dhimbshëm në dosje është rrëfimi i djalit, i cili shprehet se ëndrra e tij më e madhe ishte që t’i rikthehej jetës normale si gjithë bashkëmoshatarët e tjerë e të shkojë në shkolle dhe të bëjë një kurs për futboll.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe vëllai tjetër, i cili ka pohuar se babai i dhunonte, që kur ishin të vegjël.
Po ashtu thuhet se i vetmi person që mund të dilte pak herë nga shtëpia, ishte një prej djemve, që shkonte dhe karikonte fshehurazi një telefon që ia kishin dhënë familjarët e tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb