Në Gjermani, një nga temat më të diskutuara pas fitimit të titullit kampiona nga Bayern Munchen është e ardhmja e Robert Lewandowskit. Nuk është hera e parë që sulmuesi polak vihet në qendër të merkatos, por kësaj here flitet për një kalim të sigurtë te Barcelona.

Prestigjozja gjermane “Bild” bën me dije se menaxheri i bomberit do të paraqitet me një ofertë konkrete në klubin bavarez. Lewandowskit i përfundon kontratën e tij në qershor 2023 dhe, pavarësisht se fundjavën e kaluar drejtori sportiv, Salihamidzic, mbylli derën për largimin e polakut, Bayern mund ta humbasë atë.

Pas tetë sezonesh duke performuar në nivelin më të lartë te Bayerni dhe duke fituar të gjithë tituj, Lewa e ka të drejtën të vendosë vetë se çfarë do të bëjë me të ardhmen e tij, për më tepër që marrëdhënia mes tij dhe trajnerit Nagelsmann nuk është më e mira.

Por edhe klubi nuk po qëndron pasiv, pasi nëse Lewandowski ikën, mendon ta zëvendësojë me Erling Haaland. Do të jetë e vështirë të mposhtë konkurrencën e Manchester Cityt, por bavarezët mund të luajnë me kartën për ta kthyer norvegjezin në një makineri golash, për t’u bërë shënuesi më i mirë në Evropë dhe për t’i dhënë mundësi të fitojë Champions e për pasojë edhe “Topin e Artë”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb