LEZHË- Një biznesmen 46-vjeçar është gjetur i plagosur në makinën e tij pranë mbikalimit të Ishull Lezhës.

Burime nga policia lokale bënë me dije se Landi Gjet Noka, është goditur me mjete të forta teksa lëvizte me një automjet tip ‘BMW X5’ me targa AA383EH në zonën e Ishull Shëngjinit, pranë biznesit të tij të druve. Sipas informacioneve që përcjellin bluzat e bardha, Noka ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka identifikuar edhe 2 autorët e këtij sulmi që sipas janë Landi Kaçorri dhe Gjergj Kaçorri, ndërsa deklaron se shkak i konfliktit dyshohet të jenë mosmarrëveshjet me motiv konkurrencë të biznesit të tyre me lëndë drusore dhe qymyrgur.

Dyshimet e para për këtë krim lidhen me një konflikt të mundshëm që Landi Noka ka patur me disa persona të tjerë në qytetin e Rrëshenit fundjavën që lamë pas, konkretisht të shtunën.

Burime jo zyrtare bëjnë të ditur se, biznesmeni i plagosur është konfliktuar brenda sallës së pallatit të Kulturës në qytetin e Rrëshenit, ndërsa zhvilloheshin zgjedhjet për delegatët e kongresit të PS-së, për këtë njësi vendore.

Ky moment ka shërbyer si shkëndijë për konflikt, pasi edhe me herët i plagosuri Noka dhe personat e dyshuar për këtë ngjarje, kishin patur konflikt mes tyre.

NJOFTIMI I POLICISË
Me datë 24.02.2016  rreth orës 10.35, është njoftuar se tek mbikalimi në Ishull Lezhë ndodhet një mjet “BMW” me targë AA383EH, ku drejtuesi është i gjakosur.

Menjëherë kanë vajtur shërbimet e policisë në vendngjarje ku është konstatuar se drejtuesi këtij mjeti ishte shtetasi Landi Gjet Noka, 45 vjeç, banues në Sheshaj Mirditë pronar i një biznesi me lëndë drusore dhe qymyrgurit.

Janë marrë masat e menjëhershme duke e dërguar në spital shtetasin e dëmtuar për të marrë mjekimin e duhur.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 gëzhoja arme të tipit TT.

Nga veprimet e shpejta hetimore dhe verifikuese nga ana e grupit hetimor të policisë ka rezultuar se autorë të dëmtimit të shtetasit Landi Noka, janë shtetasit:

– Landi Kaçorri
– Gjergj Kaçorri

Të cilët janë shpallur menjëherë në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre. Nga veprimet e para hetimore rezulton se këta shtetas janë konfliktuar fizikisht duke e goditur me mjete të forta shtetasin Land Noka në kokë dhe nga shtetasit e shpallur në kërkim është qëlluar në ajër me armë zjarri.

Shkak i konfliktit dyshohet të jenë mosmarrëveshjet me motiv konkurrencë të biznesit të tyre me lëndë drusore dhe qymyrgur.

Gjithashtu shkak ka qenë edhe ngjarja e ndodhur me datë 22.02.2016, ku në Komisariatin e  Policisë Mirditë ka shkuar shtetasi Marjo Gjet Noka, banues në Rrëshen, i cili ka bërë kallëzim se në orën 14:10 të po kësaj datë ka qenë duke shkuar në shtëpi me familje dhe shtetasit Tanush (Tonin) Kaçorri dhe Land Kaçorri i kanë dalë përpara duke e ofenduar, sharë dhe ku kanë tentuar të veprojnë edhe me duar. Por shtetasi Marjo Noka nuk u është përgjigjur duke u larguar me makinë për në shtëpi ku dhe është ndjekur nga ata deri tek banesa e tij.

Për këtë ngjarje janë referuar materialet hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprën penale “Fyerja” .

Vazhdojnë hetimet intensive për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim. Në përfundim të hetimeve iu dërgojmë informacion të plotë.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: