Mirash Luli, 48-vjeçari nga Lezha që u gjet i vdekur tre ditë më parë në Selanik të Greqisë nuk është vrarë nga i biri, por humbi jetën si pasojë e një ataku kardiak.

Kjo gjë është faktuar nga ekspertiza mjeko ligjore duke çliruar në këtë mënyrë nga akuzat të birin 20-vjeçar, i cili ishte ndaluar si i dyshuar për vrasje. Gjykata e Selanikut e ka shpallur të pafajshëm djalin 20-vjeçar, i cili u lirua.

Trupi i pajetë i viktimës ka mbërritur një natë më parë në familjen që banon në Tale të Lezhës, ku do t’i jepet edhe lamtumira e fundit.

Vëllai i viktimës Agustin Luli ndërsa theksoi pafajësinë e nipit të tij, kritikoi raportimet e mediave që sipas tij i kanë krijuar shqetësime të mëdha familjes.

“Jemi të rënduar dhe jam shumë i indinjuar ndaj mediave që kanë spekuluar mbi hallin tonë, mbi dinjitetin e familjes e fisit tonë e të krejt kësaj zone, të cilët e dinë vet se çfarë kanë shkuar. Do ju lutesha të përgënjeshtrojnë e t’i kërkojnë ndjesë familjes sonë sepse na kanë vënë para një situate shumë të vështirë”, thotë vëllai i 48-vjeçarit.

Mirash Luli u gjet i pajetë 3 dite me parë në një fshat të Selanikut dhe policia ndaloi për këtë ngjarje të birin 20-vjeçar, pasi dyshohej se mes tij dhe babait kishte pasur një konflikt që mund të kishte çuar në vrasje.

Por pas hetimeve dhe ekspertizës rezultoi se vdekja kishte ardhur si pasojë e një ataku kardiak.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb