Telefoni i parë i LG-ës me ekran të lakuar, LG G Flex, pati disa probleme, si ekrani me rezolucion të ulët, mungesa e kartës microSD dhe ishte shumë i madh për t’u mbajtur me një dorë. Pasardhësi i tij i shumëpritur u prezantua nga LG në konferencën për shtyp në CES 2015. LG G Flex 2 përmban ekran të lakuar 5.5 inç me rezolucion 1080 pikselë, i cili mbrohet nga xhami Gorilla Glass 3. Ai fuqizohet nga procesori Snapdragon 810 SoC me 2GB RAM dhe 16/32 GB hapësirë të brendshme, që mund të zgjerohet nëpërmjet kartës microSD.  Pajisja e lakuar përmban lidhjen LTE Cat 6, do të vijë me sistemin operativ Android Lollipop dhe do të ketë një bateri të palëvizshme me kapacitet 3,000mAh. Veçoritë e tjera janë të ngjashme me telefonin inteligjent LG G3, vetëm se LG G Flex 2 ka edhe lazerin me vetë-fokusim tek kamera e pasme. Kasa e pasme është bërë me plastikë të mirë, dhe LG pretendon se do t’i hiqen gërvishtjet për 10 sekonda, në temperaturën e dhomës. LG G Flex 2 do të dalë fillimisht në shitje në Korenë e Jugut dhe me vonë do të dalë edhe në tregje të tjera. Çmimi nuk është bërë i ditur akoma, por duke pasur parasysh veçoritë e tij, mendojmë se do të kushtojë shumë.

(os.de/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: