TIRANE- Komuniteti Lesbike, Gay, Biseksual, Transgjinor dhe Interseksual (LGBTI) dhe aleatët e tij, kanë zhvilluar sot një protestë të veçantë. Për herë të parë lëvizja LGBTI në Shqipëri ka zhvendosur protestën e saj para ndërtesës së Qeverisë dhe Kryeministrit, me qëllim manifestimin publik dhe për të kërkuar që Qeveria të bëjë më shumë për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të të rinjve LGBTI.

Ata protestuan për faktin se sipas tyre, të rinjtë LGBTI janë ende pre e diskriminimit dhe bulizmit në shkolla, dëbimit nga shtëpia dhe dhunës nga familjarët dhe të afërmit e tyre, e dhunës dhe abuzimit seksual, abuzimit me substancat narkotike dhe drogërat, pre e mungesës së shanseve për të jetuar të lirë dhe me dinjitet identitetin e tyre seksual dhe gjinor.

Ata shtruan pyetjen: “Edhe sa gjatë mund të presësh për të drejtat e tua?”.

“LGBTI vazhdojnë të jetojnë të fshehur, në frikë dhe me dëshirën e vetme për t’u larguar nga ky vend dhe për të jetuar diku tjetër. Nëse duam të ndërtojmë një shoqëri të hapur, të lirë, të përparuar dhe të drejtë, duhet të përfshijmë çdo qytetar duke patur në mbrojtje të drejtat dhe dinjitetin e tyre”, thuhet në deklaratën e protestuesve.

Ata i kujtuan Kryeministrit se “është detyra e këtij shteti që t’i mbrojë të rinjtë LGBTI dhe t’iu ofrojë atyre një jetë më të mirë këtu në vendin e tyre, pasi të drejtat e njeriut nuk jepen, ato mbrohen!”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: