Të paktën 52 pjesëtarë të forcave të rendit u plagosën dhe 70 persona u arrestuan të premten gjatë protestave që u nxitën nga planet e qeverisë për të vendosur një tarifë për thirrjet me WhatsApp dhe aplikacione të ngjashme, raporton Anadolu Agency (AA).

Drejtoria e Sigurisë e Libanit tha në Twitter se forcat e sigurisë dhe protestuesit u përleshën në rrethe të ndryshme të Bejrutit pas një fjalimi të kryeministrit Saad Hariri, i cili u dha partive politike një afat treditor për të mbështetur axhendën e tij të reformës për zgjidhjen e krizës ekonomike të vendit.

Shtatëdhjetë protestues u arrestuan për shkaktimin e trazirave, thuhet më tej.

Ministri i Brendshëm Raya al-Hassan në Twitter gjithashtu u bëri thirrje demonstruesve të mos dëmtojnë pronën publike dhe private.

Protestat filluan të enjten në vend, i cili është duke u përballur me probleme ekonomike për shkak të valëve të refugjatëve nga Siria dhe akuzat për “korrupsion” ndaj qeverisë.

Agjensia ndërkombëtare e vlerësimit të kredisë Fitch uli vlerësimin e kredisë në Liban nga B- në CCC më 24 gusht.

Vendi po kalon përmes protestave më të mëdha që nga kriza e mbeturinave në vitin 2015, kur në rrugë shiheshin plehra të grumbulluara.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb