Negociatat intensive mes Libanit dhe Izraelit për demarkacionin e kufirit detar po shkojnë drejt një rezultati pozitiv. Të dy vendet janë afër një marrëveshjeje historike e cila do të lejojë heqjen e pengesave për shfrytëzimin e depozitave hidrokarbure në Mesdheun Lindor.

Libani dhe Izraeli janë zyrtarisht në luftë për një mosmarrëveshje kufitare, ndonëse prej dy vitesh ka një ndërmjetësim nga SHBA.

Bisedimet kanë vazhduar ditët e fundit. Sot, Izraeli njoftoi se kishte marrë një përgjigje pozitive për shqetësimet e tij në lidhje me amendamentet e Libanit.

“Të gjitha kërkesat tona janë pranuar, ndryshimet që kemi kërkuar janë bërë. Ne kemi siguruar interesat e sigurisë së Izraelit, jemi në rrugën e një marrëveshjeje historike ”, tha Eyal Hulata , këshilltar për sigurinë kombëtare i kryeministrit izraelit Yair Lapid.

Më pas, një zyrtar i lartë libanez i përfshirë në negociata theksoi se Bejruti kishte pranuar propozimin përfundimtar të ndërmjetësit amerikan, i cili “përfshin shumicën e kërkesave ose propozimeve të Libanit”.

Propozimi përfundimtar i ndërmjetësit amerikan do t’i jepet gjatë ditës presidentit libanez Michel Aoun, sipas të njëjtit burim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: