Kryetari i parlamentit libanez i tha të premten sekretarit amerikan të shtetit Mike Pompeo se sanksionet e SHBA-së ndaj grupit Hezbollah po ndikojnë “negativisht” tek libanezët, shkruan VOA.

Përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të ushtruar presion ndaj grupit të armatosur rëndë Hezbollahut, i cili mbështetet nga Irani, qëndrojnë në krye të agjendës së vizitës së zotit Pompeo në takimet e tij me udhëheqësit politikë libanezë, pjesë e një kursi të ashpër të Uashingtonit kundër Teheranit.

Kryetari i parlamentit Nabih Berri, një aleat politik i grupit Hezbollah, i tha zotit Pompeo se “rezistenca” e Hezbollahut kundër Izraelit ishte rezultat i pushtimit të vazhdueshëm të territoreve libanezëve nga Izraeli, sipas një deklarate të zyrës së tij.

Grupi Hezbollah ka një milici të madhe, por grupi mysliman shiit përfaqësohet edhe në parlamentin e Libanit si dhe në koalicionin qeverisës të Kryeministrit sunit Saad al-Hariri. Izraeli e konsideron Iranin si kërcënimin e tij më të madh dhe Hezbollahun si rrezikun kryesor në kufijtë e vendit.

Të enjten zoti Pompeo tha se do të ishte “shumë i qartë” në takimet e tij në Bejrut se “suksesi i Libanit varet nga vetë libanezët, që ata të kërkojnë që një organizatë terroriste të mos kontrollojë qeverinë dhe politikat e tyre”.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Robert Palladino tha zoti Pompeo dhe zoti Berri diskutuan rreth nevojës për të ruajtur qetësinë në kufirin izraelito-libanez. Sipas tij zoti Pompeo vuri theksin tek “shqetësimi amerikan për aktivitetet destabilizuese të Hezbollahut në Liban dhe rajon, si dhe rreziqet që i kanosen sigurisë, stabilitetit e prosperitetin të Libanit”.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb