Profesor Aurel Plasari ka publikuar një libër të ri mbi Arbnin historik, gjeografik, kishtar dhe politik. Studimi i tij hedh dritë mbi pauzën historike të 9 shekujve të errët për historinë e trevës shqiptare.
Plasari flet në një intervistë të gjatë për Arbnin politik dhe gjeografik. Sipas tij, mesjeta ka qenë e vetmja kohë kur ne kemi qenë të njëkohshëm me botën.

“Mesjeta ka qenë një kohë që kemi qenë të njëkohshëm të paktën me zonat Italike. Shkatërrimi erdhi pas Motit të madh, që ishte shekulli i luftrave dhe me pas me pushtimin nga Perandoria Osmane. Pavarësisht nga sa thonë osmanofilet, pati dëme”, thotë Plasari.

Në një intervistë për News 24 dhe “BalkanWeb” ai përgjigjet edhe për debatin mbi shtatoren e Skënderbeut në Prizren.

“Ai është një debat që nuk është shqetësues. Ka edhe momente të tilla. Në fakt ne e kemi ngushtuar shumë këndin dhe artin e kuptojmë vetëm në tipare ngjashmërie. Kemi mbetur vetëm të realizmi socialist. I kemi gjithë shtatoret burra në këmbë, Ahmet Zogu, Ismail Qemali, Lasgushi, Kuteli, janë të gjithë burra në këmbë. Nuk po them t’i ulim por po them që duhet edhe të emancipohemi e t’i konceptojmë edhe ndryshe”.

Plasari dha edhe një përgjigje për debatin e ngritur mbi dosjet për Camajn e Koliqin.

Sipas Plasarit, ai i ka njohur të dy dhe ka bërë përpjekje që të dy t’i nxjerrë nga harresa, në vitet ’90. “Kam shkruar për Ernest Koliqin dhe prozën e tij dhe për Martin Camajn. Për Camajn kam thënë që është shelbuesi i të tijve në një shkrim qe kam bere për veprën e tij. Unë them që duhen hapur dosjet e shkrimtarëve por ama, të hapen për të parë dhe për të kuptuar veprën”, deklaron ndër të tjera Plasari.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb