Kryeparlamentari Gramoz Ruçi, i shoqëruar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Japoni. Gjatë qëndrimit të tyre në Japoni, dy zyrtarët shqiptarë u takuan me kryetarin e Parlamentit të Japonisë, Tadamori Ōshima, ku kryefjala e bisedës ishte bashkëpunimi dhe intensifikimi i marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kryetari i Kuvendit vuri në dukje se “Japonia dhe Tokio përfaqësojnë një mrekulli njerëzore dhe admirohen nga të gjithë shqiptarët. Ne duhet të punojmë për nxitjen e investimeve japoneze në Shqipëri, bujqësi, peshkim, transportin hekurudhor dhe ajror, parqet industriale, sektorin e energjisë, naftës, minierave, shëndetësisë, industrinë e fasonit etj. Rritjes së bashkëpunimit midis të dy vendeve do t’í shërbente edhe liberalizimi i vizave, i cili nëpërmjet qarkullimit të lirë të njerëzve, do të lehtësojë edhe qarkullimin e mallrave, shkëmbimet tregtare dhe turizmin.”. Ndërkohë, homologu i tij Tadamori Ōshima, nënvizoi se bashkëpunimin me Shqipërinë do ta konsiderojë një prioritet të agjendës së tij parlamentare, duke iu përgjigjur pozitivisht ftesës së Kryetarit të Kuvendit për të vizituar Shqipërinë. “Japonia e konsideron Shqipërinë një vend mik dhe partner, një faktor kyç për zhvillimin dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Unë do të nxis qeverinë dhe investitorët japonezë për më shumë bashkëpunim, shkëmbime e investime me Shqipërinë, e cila ka potenciale të larta zhvillimi, si edhe do të mbështes kërkesën Tuaj për liberalizimin e vizave”.

  • foto galeri
  • foto galeri

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i kërkoi homologut Oshima më shumë mbështetje të Japonisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, posaçërisht në UNESCO dhe INTERPOL. Ruçi, dhe Balla u takuan gjithashtu me anëtarë të kabinetit qeveritar, drejtuesit e grupit parlamentar të miqësisë me Shqipërinë dhe anëtarë të tjerë të Dhomës së Përfaqësuesve, me të cilët biseduan mbi fuqizimin e bashkëpunimit dypalësh, nxitjen e investimeve, ecurinë e projekteve japoneze në Shqipëri dhe rritjen e shkëmbimeve të gjithanshme midis të dy vendeve.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: