Institucioneve të Kosovës u kanë mbetur më pak se dy muaj që të ratifikojnë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, nëse synojnë të ecin përpara me procesin e liberalizimit të vizave.

Ky mesazh, përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, u është transmetuar javëve të fundit si nga ana e zyrtarëve të Bashkimit Evropian, ashtu edhe nga zëvendësndihmëssekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee, i cili qëndroi para pak ditësh në Prishtinë.

Marrë parasysh se në Bruksel pritet që fokusi të orientohet kah zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Evropian, vonesat e reja në Prishtinë rreth ratifikimit të Demarkacionit, besohet se do të reflektonin në zvarritje të reja në procesin e liberalizimit të vizave.

Për urgjencën e përmbylljes së çështjes së Demarkacionit ka folur vetë ministrja e Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, e cila kohë më parë ka qëndruar në Bruksel. Ajo ka pranuar se zyrtarët e BE-së janë të interesuar që kjo çështje të mbyllet pa vonesa të reja.

Nisma e kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës që Komisioni i ri shtetëror për shënjimin e kufirit t’i bëjë matjet e reja, për siç thuhet, korrigjimin e versionit aktual të Marrëveshjes me Malin e Zi, nuk po mirëpritet nga Bashkimi Evropian.

Edhe Qeveria e Malit të Zi është deklaruar se demarkacioni i kufirit me Kosovën është çështje e mbyllur, shkruan “rel”.

Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit në gusht të vitit 2015, në Vjenë. Kjo Marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës. Në Prishtinë, ka pikëpamje të ndryshme rreth kësaj Marrëveshje, e cila më zëshëm është kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përkatësisht partia e kryeministrit aktual të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian u ka bërë të qartë institucioneve të Kosovës se ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi mbetet kusht për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: