TRIPOLI

Të paktën një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi me raketa nga forcat jolegjitime të komandantit rebel Khalifa Haftar ndaj vendbanimeve civile në kryeqytetin Tripoli.

Sipas një njoftimi nga Emin al-Hashim, drejtori i Informacionit pranë Ministrisë së Shëndetësisë të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) të njohur ndërkombëtarisht, milicitë e Haftarit kanë sulmuar me raketa zonën Hadba të Tripolit.

Sulmi ka lënë të vdekur një grua, ndërsa tre persona të tjerë janë plagosur, ndërsa po ashtu janë shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Milicitë e lidhura me Haftarin kanë shtuar sulmet me raketa në Tripoli gjatë tri ditëve të fundit. Një person humbi jetën dhe nëntë u plagosën dje në një sulm të ngjashëm me raketë e cila qëlloi një kafe në zonën Salahaddin, kurse një raketë tjetër shkaktoi pesë të plagosur pranë Universitetit të Tripolit.

Komandanti renegat i Libisë, Khalifa Haftar, u pajtua në Konferencën e Berlinit më 19 janar për të caktuar pjesëtarët në një komision ushtarak të propozuar nga OKB me pesë anëtarë nga palët në Libi, për të monitoruar zbatimin e armëpushimit.

Përkundër konferencës, e cila bëri thirrje për një armëpushim të përhershëm, forcat e Haftarit kanë vazhduar sulmet e tyre.

Dje, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë e cila mandaton një operacion shumëkombësh për sigurimin e një armëpushimi në Libi.

Që nga rrëzimi i Muammar Gaddafit në vitin 2011, në Libi janë shfaqur dy qendra pushtetit, njëra në Libinë lindore, e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe tjetra në Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare.

Qeveria legjitime e Libisë është sulmuar nga forcat e Haftarit që nga prilli i vitit të kaluar, me çka më shumë se 1.000 njerëz kanë humbur jetën.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb