TRIPOLI

Forcat e qeverisë libiane njoftuan se milicitë e gjeneralit rebel Khalifa Haftar bombarduan Aeroportin Ndërkombëtar Mitiga në kryeqytetin Tripoli, duke shënuar një shkelje të re të armëpushimit të 12 janarit.

Mohamed Qanounu, zëdhënës i forcave të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) të njohur nga Kombet e Bashkuara (OKB), tha në një deklaratë se forcat e Haftarit sulmuan aeroportin me gjashtë raketa Grad.

Qanounu nuk dha detaje të mëtejshme për viktima të mundshme apo dëme materiale.

“Ky bombardim është një kërcënim flagrant për lëvizjen e navigimit ajror dhe një shkelje e re dhe e përsëritur e armëpushimit nga milicitë e Haftarit”, shtoi ai.

Më 12 janar, palët e konfliktit në Libi njoftuan një armëpushim në përgjigje të një thirrjeje të përbashkët të liderëve të Turqisë dhe Rusisë. Por bisedimet për armëpushim të përhershëm në Moskë javën e kaluar përfunduan pa rezultat pasi Haftar u largua nga kryeqyteti rus pa e nënshkruar marrëveshjen.

Të dielën, gjatë konferencës ndërkombëtare për Libinë në Berlin, Haftar pranoi të caktojë anëtarët në një komision ushtarak të propozuar nga OKB me pesë anëtarë nga secila palë për të monitoruar zbatimin e armëpushimit.

Megjithatë, të martën u raportua se forcat besnike të Haftarit shkelën edhe një herë armëpushimin e dakorduar me qeverinë e njohur nga OKB, duke shkrepur predha mortajash në zonat jugore të kryeqytetit.

Libia po përballet me një krizë legjitimiteti për shkak të luftës civile e cila vazhdon që nga viti 2011 pas vrasjes së liderit të rrëzuar Muammar Gaddafi.

Që nga ajo kohë, në Libi janë shfaqur dy qeveri rivale, njëra në Libinë lindore dhe GNA me qendër në Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb