Ushtria libiane sot çliroi Aeroportin Ndërkombëtar të Tripolit nga milicia besnike e Khalifa Haftarit, komandantit të forcave jolegjitime në lindje të Libisë.

Forcat qeveritare siguruan plotësisht kontrollin mbi aeroportin që mbahej i pushtuar nga Haftari tashmë një vit, tha Mustafa al-Mujie, një zëdhënës i operacionit “Vullkani i Tërbimit” i udhëhequr nga qeveria libiane.

Më parë gjatë ditës, ushtria libiane njoftoi zyrtarisht fillimin e një operacioni për çlirimin e aeroportit, që gjendet në jug të kryeqytetit të vendit.

Qeveria e Libisë e njohur nga OKB-ja ka qenë nën sulm nga forcat e Haftarit që nga prilli i vitit 2019.

Në mars, qeveria nisi operacionin “Stuhia e Paqes” për të zmbrapsur sulmet mbi kryeqytetin dhe së fundmi ka rimarrë vendet strategjike, përfshirë bazën ajrore Al-Watiya.

Libia është përfshirë nga lufta civile që nga rrëzimi i ish-udhëheqësit të ndjerë Muammar Gaddafi në vitin 2011. Qeveria e re e Libisë u themelua në vitin 2015 nën një marrëveshje të udhëhequr nga OKB-ja, por përpjekjet për një zgjidhje politike afatgjate kanë dështuar për shkak të ofensivës ushtarake nga forcat e Haftarit.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb