Komandanti ushtarak i forcave jolegjitime me qendër në Libi, Khalifa Haftar, pas disa muajve ka hequr bllokadën e prodhimit të naftës në vend.

“Haftar dha urdhër që të rihapen portet dhe objektet në mënyrë që t’i japin fund problemeve që pësuan libianët në shumë fusha të jetës dhe të mbrojnë infrastrukturën e prodhimeve të naftës dhe të eksporteve”, tha Naji al-Maghribi, kreu i Gardianëve të Objekteve të Naftës së Libisë.

Prodhimi i naftës pothuajse është ndalur plotësisht në Libi, pasi në muajin janar grupet pro-Haftar mbyllën objektet e naftës në pjesët lindore të vendit për të shtrënguar burimet e qeverisë libiane me qendër në Tripoli, që njihet nga Kombet e Bashkuar (OKB).

Libia me rezervat më të mëdha të naftës në Afrikë mund të prodhojë 1.2 milionë fuçi të naftës së papërpunuar në ditë. Por gjatë shtatë muajve të fundit prodhimi ka rënë nën 100 mijë fuçi në ditë për shkak të ndërprerjeve nga milicitë pro-Haftar.

Libia ka ngecur në një konflikt që nga rrëzimi i udhëheqësit Muammar Gaddafi në vitin 2011.

Qeveria e re u themelua katër vite më vonë, në vitin 2015, nën një marrëveshje të udhëhequr nga OKB-ja, por përpjekjet për një zgjidhje politike afatgjate deri më tani kanë dështuar për shkak të një ofensive ushtarake nga Haftar-i.

Që nga prilli i vitit 2019, forcat e Haftar-it kanë nisur sulme në Tripoli dhe në pjesë të tjera të Libisë veri-perëndimore, duke rezultuar në mbi 1 mijë vdekje, përfshirë shumë civilë. Haftar ka mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe, Egjiptit dhe Rusisë, ndërsa qeveria e njohur nga OKB mbështetet nga Turqia dhe Katari.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb