Fluturimet komerciale në Mitiga, aeroportin e vetëm civil në kryeqytetin libian Tripoli, janë pezulluar si pasojë e sulmeve me raketa të milicëve të gjeneralit puçist Khalifa Haftar.

Media lokale raportoi se janë pezulluar të gjitha fluturimet në aerportin Mitiga, i cili mbrëmë është goditur nga një raketë gjatë sulmeve në këtë zonë të forcave të gjeneralit me bazë në lindje të Libisë, Khalifa Haftar.

Më herët, Aeroporti Mitiga kishte qëndruar i mbyllur për tre muaj, por u rihap më 12 dhjetor 2019.

Më 4 prill, forcat e Haftarit filluan një fushatë ushtarake për të kapur Tripolin, me çka Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) e njohur ndërkombëtarisht nisi një kundër-operacion. Deri më tani, gjenerali Haftar nuk ka arritur të përparojnë përtej pjesëve periferike të qytetit.

Ndërkaq, më 12 dhjetor, Haftar dha një tjetër urdhër për sulm ndaj Tripolit, duke e quajtur fushatën e re si “Lufta Vendimtare”, ndërsa si masë kundër këtij urdhri, në dhjetë qytete perëndimore të vendit u shpall mobilizim.

Që nga rrëzimi i ish-liderit libian Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi janë shfaqur dy qendra pushteti, një në Libinë lindore e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, me të cilën është i lidhur edhe gjenerali puçist Haftar, dhe një tjetër në Tripoli, e cila gëzon njohjen ndërkombëtare dhe atë të OKB-së.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb