Zëdhënësi i operacionit “Burkan el-Gadab”, Mustafa al-Majai, ka njoftuar se një person është vrarë në një sulm ajror të forcave besnike të liderit puçist në lindje të Libisë, Khalifa Haftar në aeroportin Mitiga në Tripoli.

Në një deklaratë,  zëdhënësi i operacionit të ndërmarrë nga Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA), Mustafa al-Majai, tha se sulmi ka pasur për cak portën kryesore të aeroportit.

“Një i punësuar në aeroport u vra gjatë sulmit”, tha ai.

Ky sulm vjen pas sulmit të forcave besnike të Haftarit ndaj akademisë ushtarake në jug të Tripolit ku u vranë 30 studentë dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.

Në prill, forcat e Haftarit filluan një fushatë ushtarake për të marrë Tripolin nga GNA. Më 12 dhjetor, Haftar njoftoi se ka urdhëruar militantët e tij të fillojnë një “betejë vendimtare” për të marrë qytetin.

Sipas OKB-së, më shumë se 1.000 persona janë vrarë dhe të paktën 5.000 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i këtij operacioni.

Që nga rrëzimi i udhëheqësit libian Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi u shfaqën dy qendra pushteti, një në Libinë lindore e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe tjetra në Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb