NGA OLA MITRE

TIRANE- Qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion 2.2 milionë euro, të cilat do të mundësojnë libra shkollorë falas për fëmijët e disa prej kategorive në nevojë. Lajmi është bërë me dije nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, pas miratimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave, i cili saktëson edhe kategoritë që do të përfitojnë, duke filluar nga ky vit shkollor.

“Dy vjet më parë, në programin qeverisës të ‘Aleancës për Shqipërinë Europiane’ premtuam se do të ndihmonim me tekste falas edhe familjet shqiptare me më shumë se dy fëmijë. Konkretisht, një familje me tre fëmijë do të përfitonte falas libra shkollorë për fëmijën e tretë në radhën e shkollimit, sikundër çdo familje shqiptare me katër fëmijë do të përfitonte librat falas për fëmijën e tretë, të katërt e kështu me radhë. Sot ky premtim konsiderohet i mbajtur, falë Vendimit të Këshillit të Ministrave që vë në dispozicion 2.2 milionë euro për të mbështetur me tekste falas edhe më shumë kategori familjesh shqiptare”, – deklaroi Nikolla.

Po ashtu, sipas ministres, prej këtij fondi do të përfitojnë edhe fëmijët e komunitetit egjiptian, të cilët, njësoj si fëmijët e komunitetit rom, do të kenë mundësi të marrin libra falas për të gjithë kohëzgjatjen e arsimimit të tyre, në arsimin bazë. Një tjetër kategori fëmijësh që do të përfitojë tekste shkollorë falas, janë edhe ata që konsiderohen viktima të trafikimit apo viktima të mundshme të trafikimit. Sikundër, do të përfitojnë tekste shkollore falas edhe ata fëmijë që vijnë nga familje ku ka një person me aftësi të kufizuar apo ku kryefamiljari përfiton pension invaliditeti.

“Jemi treguar po ashtu të kujdesshëm dhe solidarë me fëmijët e të gjithë punonjësve të policisë të vrarë në krye të detyrës dhe në shërbim të komunitetit, në mënyrë që, krahas bursës së studimit, ata të përfitojnë falas edhe tekstet shkollore për gjithë periudhën e tyre të shkollimit në arsimin bazë. Ky është një lajm i rëndësishëm në prag të fillimit të vitit të ri arsimor, ku edhe një herë Qeveria shqiptare tregon se është në krah të familjeve shqiptare për të nxitur një arsimim cilësor të brezave të rinj”, – përfundoi Nikolla.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb