TIRANË

Ish-deputeti i PD Luçiano Boçi e shikon si lëmoshë dhënien e librave të përdorur për nxënësit e arsimit parauniversitar. Në një postim në “Facebook”, Boçi kujton Migjenin dhe në stilin e tij, shkruan se ‘për turpin e këtyre që s’kanë turp, reklamohet sikur të ishte bamirësia perfekte’.

Sipas ish-deputetit demokrat ‘vetëm 22 milionët e eurove që Rama grabit për një km rrugë, do mjaftonin për dhënien falas të gjithë librave për arsimin parauniversitar’.

POSTIMI I BOÇIT
LEMOSHA E LIBRIT
…Lajmi se do të shpërndahen libra falas të përdorura, doli nga zemra e dheut dhe goja e Ministres, rrodhi nëpër dejtë e thella deri te gjymtyrët e mpira të dheut që quhet shtet. Dhe bani të dridhen nga gëzimi frymorët që s’kanë me çka të mbajnë frymën…
E përshtata këtë pasazh migjenian, për të denoncuar turpin e shtetit që i bie gjoksit me libra falas të përdorur, për fëmijët e këtij vendi të mbushur me motive migjeniane.
Kjo është lëmosha e Ramës dhe e Besës për fëmijët tanë që këta i rrëmbejnë të ardhurat e familjes, i rrëmbejnë pronën publike, i rrëmbejnë të ardhmen.
Dhe kjo për turpin e këtyre që s’kanë turp, reklamohet sikur të ishte bamirësia perfekte.
Vetëm 22 milionët e eurove që Rama grabit për një km rrugë, do mjaftonin për dhënien falas të gjithë librave për arsimin parauniversitar.
Por sigurisht Rama dhe Besa nuk mund ta bëjnë.
Ata tallen modernisht me videomesazhe me varfërinë klasike të shqiptarëve.
Fëmijët që do t’i marrin këto libra, e fillojnë vitin me brengën e pamundësisë për të pasur “shokun” (librin) e vet me vete. Brenga është dyfishe sepse dhe këtë do duhet ta dorëzojnë.
As më shumë as më pak si dikur, kur shumica e fëmijëve vishnin këpucët e vëllait më të madh, ose bluzën e përdorur, pa shijuar gjënë e re për shkak të varfërisë.
Ata që i kishin do humbasin kujtimet e papërsëritshme të fëmijërisë.
Të vetmit që ngazëllehen nga kjo histori, janë Besa e videomesazhit dhe Rama i krimit, i korrupsionit i dhunimit të sotmes dhe të ardhmes së fëmijëve.

Luciano
Luciano

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb