Nga Sven Aurén
Përkthyer nga Adil N.Biçaku
Pjesa e njëzet

ORIENTI EUROPES
Land af Albania! Let me bend mine eyes
On thee, thou rugged nurse of savage men.

Lord Byron.

Në librin “Orienti i Evropës”, autori i veprës asht suedezi Sven Aurén. Janë përshtypje udhëtimi nga Shqipëria nga mezi i viteve ‘30. Përjetimet e tije direkte pa asnjë retushim.

Me një fjalë përkthimi i librit ka për të sjellë tek lexuesi shqiptar, vlera origjinale njohje të asaj historie që ne nuk e kemi njohur dhe jo pak vazhdojmë, ta njohim dhe tani të deformuar nga interesa të momentit.

Tani pak për atë që ju adreson këta rreshta: Quhem Adil Biçaku. Kam punuar dhe jetoj mbi 50 vjet në Suedi, pa e shkëputur për asnjë moment, mendimin dhe ndjenjën nga Shqipëria jonë.

Tani jam në pension dhe jetoj me gruan dhe fëmijët, këtu në Stokholm. Duke qenë një kohë e gjatë, nga evolucioni i gjuhës shqipe, që natyrshëm, ka ndodhur gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve, jam i vetëdijshëm për vështirësitë, jo të vogla me të cilat do të ndeshem, për t’i dhënë lexuesit shqiptar, përjetimet e origjinalit.

Prandaj do t`ju isha shumë mirënjohës, nëse së bashku do të gjenim një mënyrë praktike bashkëpunimi, për ta përkthyer këtë libër me vlera të shumanshme.

Moralisht do të ndihesha shumë i lehtësuar, duke shlyer një pjesë të borxhit, që kemi të gjithë ne shqiptaret, karshi Shqipërisë sonë, veçanërisht në këto kohë që vazhdojnë të jenë kaq të trazuara.

Me shumë respekt

Adil Biçaku

Vijon nga numri i kaluar

Thuhet, në gjithë qytetet rreth globit, gjendet një origjinal anglez. Në Elbasan origjinali është i gjinisë femërore dhe quhet Haslock: një damë me veti mashkulli dhe moshë të pa përcaktuar e pikëpamje të qarta, e cila fotografon dhe katalogizon gjithçka, që mund të llogariten si etnografi shqiptare dhe banon në vend, prej shumë vjetësh mjaft e respektuar. Ne bëmë një vizitë tek kjo dama e spikatur, e cila na ftoi të ulemi rreth një tavoline shkatarraqe druri dhe të pimë një filxhan çaj, pastaj ajo filloi një ligjëratë etnografike, me një fjalor të një natyre shumë të pasur.

Natyrisht që neve dëgjuam me shume vëmendje, tregimet e saj mbi tipat e djepeve në Elbasan dhe rrethinave, sidoqoftë nuk munda të shpëtoj të mos shpërqendrohem, nga një objekt në njërën qoshe të dhomës. Atje ishte një pushkë e shkurtër ushtarake e modelit të fundit. Unë imagjinova Mrs. Haslock, se si gjezdisë nëpër rrugët e Elbasanit me këtë karabinën, që të kall datën, me të në kurriz, ajo si duket prapë se prapë e mbivlerësonte agresivitetin e burrave të neveritshëm. Kur ajo u detyrua të bëjë një pauzë frymëmarrje, nxitova t´i hedh një pyetje të rrufeshme:

-Është me të vërtetë kaq shqetësim këtu në Elbasan, që ju duhet të mbani me vete një arsenal të tillë atje, Mrs. Haslock?

Ajo u duk e habitur.

-Ah, ju mendoni pushkën? Ajo nuk është e imja. Është e Aliut…

Në atë çast hapet dera dhe Aliu hyri brenda, me një tabaka çaji në dorë. Aliu i përkiste xhandarmërisë dhe kishte veshur uniformën ushtarake të gjelbër të mbyllur, me inicialet e Mbretit Zog në kapele. Ai përbënte dhuratën e qeverisë shqiptare për Mrs. Haslock. Ai e shoqëronte atë kudo që të shkonte, ishte qeni besnik i oborrit dhe shoqëruesi i pandarë. Përkrah me obligimet e tij ushtarake, ai funksiononte si kuzhinier, kamerier, pastrues dhe hamall. Mrs. Haslock dhe Aliu, formonin një çift të pandarë, të njohur në gjysmën e Shqipërisë. Kur ata ndërmerrnin ekspedicionet kaluarë, kështu ishin si një Don Kishot dhe Sanço Panço shqiptar, që mësynin për drejt mistikës së etnografisë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Por kur Aliu iku përsëri dhe ne ishim ulur dhe trazonim filxhanët e çajit, u duk sikur edhe Shqipëria ishte zhdukur. Neve nuk ndodheshim më në Elbasan, por në një mbas dite të një qyteti province angleze, ku ne dëgjonim përshkrimin e gjërave të vlefshme të krahinës, nga zonja e shtëpisë. Por së shpejti u paraqit Shqipëria prapë, këtë herë në formën e një zotërie miqësor të qeshur, që unë mund të betohesha se qe një fabrikant prej krahinës së Jënkëpingut, nëse ai nuk do të kishte në kokë një fes të zi. Ky zotëria i vogël u muar vesh, se ishte i njohuri shumë i shquar: Lef Nosi, ministri i Post-telegrafit në qeverinë e Vlorës të Ismail Qemalit, anëtar i një familje të vjetër të pasur Elbasani, një patriot i zjarrtë, i cili ka qenë dy herë në burg, për gjuhën pa fre dhe për arsye të shndërrimit të rrymave.

Elbasani gjithmonë ka qenë i njohur, si një qendër intelektuale. Lef Nosi punoi për shkollën ‘Normale’ të qytetit në një mënyrë, që tërhoqi vëmendjen në arenën ndërkombëtare. Si një mirënjohje për këtë kontribut, u emërua si anëtar i qeverisë së parë të Shqipërisë. Por Shqipëria është një vend i pa kuptueshëm dhe inkonseguent dhe Lef Nosi, nuk u bë ministër i arsimit, por mori në dorë shërbimin post-telegrafik, e cila në atë kohë nuk duhet të kishte më shumë, se disa kutia me pulla dhe një rul teli telegrafi.

Më vonë u kap nga një pasion fatal, të shkruaj emrin e vet nën manifestin e lartë patriotik por kryengritës, i cili rezultoi në studimin e pavullnetshëm, të çdo gjëje tjetër përveç gjendjes jo të kënaqshme, të konditave të burgjeve të vendit. Këto studime freskonin në një far grade, zellin e tij politik dhe ai kaloi në jetën e qetë, të koleksionistit. Shtëpia e tij është unike në llojin e vet. Kjo është, që ai ka zgjedh si detyrë të jetës, të mbledhë një ekzemplar nga çdo gjë që gjendet në Shqipëri, që si të thuash në moshën e pleqërisë, të jetojë në një koncentrat shqiptar dhe të mos ketë ndonjë arsye për të dal jashtë.

Lef Nosi nëpërmjet ardhjes së tij, hodhi tek neve një dritë interesante dhe më shumë shqiptare. Ai tregoi historira argëtuese, mbi Esad Pashën dhe Wilhelm av Wied e zbuloi veten, se ishte një njohës i dalluar, se çfarë luhej pas skenave politike. U duk se ai ishte shumë i interesuar, për psikologjinë e popullit shqiptar. Krejt natyrshëm biseda jonë rrëshqiti në trimërinë dhe forcën shpirtërore, e cila është kaq veçori e dalluar në karakterin popullor dhe Lef Nosi, i jepte analizës së tij ngjyrë dhe esencë, nëpërmjet tregimit të historive mbi gjakftohtësinë dhe përbuzjen e vdekjes tek shqiptarët. Qe kjo ndodhia e vogël midis tjerash:

Një katundar doli në pazar me djalin e tij të vogël. Ata kaluan nga një banak në tjetrin dhe sytë e fëmijës shkëlqejnë nga gëzimi, nga të gjithë gjërat e çuditshme, që pa. Kur kaluan një tregtar armësh, djali shfrytëzoi rastin të kapë një thikë të bukur, por tregtari qe vigjilent dhe kapi me shpejtësi dorën e djalit.

-Po pse nuk më drejtohesh m’u, donte të dinte babai i pakënaqur. Unë do t´a paguaja thikën.

Pse ti më prish dorën e djalit?

Dhe me atë mendonte babai shumë i nevrikosur, sjellja qe e gabuar. Ishte hera e parë, që djali i tij ndërmori një veprim me iniciativën e vet. Me këtë veprim rrezikohet, që djali humb guximin dhe më vonë, nuk ka kurajë të ndërmarrë ndonjë vepër të guximshme. Një burrë, i cili s´do të kryej vepra të guximshme trimërie, nuk është burrë. Një shqiptar duhet të tregojë guximin e tij, në të gjitha rrethanat.

Kjo është gjithashtu jashtëzakonisht e rrallë, që bëhet ndonjë përjashtim nga ky rregull, thekson Lef Nosi. Mua më kujtohet një episod i vogël prej luftës Ballkanike më 1912-ën.

Kishte ndodhur një betejë e madhe në krahinën e Shkodrës dhe pas mbarimit të luftimeve, një doktor serb, bëri një kontroll nëpër të vrarët. Atje ishte shtrirë një shqiptar, me të dyja duart të prera. Këmbët i kishte të paralizuara, e vetmja që ai mund të luante ishte koka. Dhe atë ai e përdori me vendosmëri. Kur doktori u përkul për ta kontrolluar, ai shfrytëzoi rastin dhe e kafshoi në gishtin e vogël të dorës së majtë. Ai e konsideroi doktorin si armik.

Përbuzja e vdekjes që kanë shqiptarët, ka një kuptim impresionues, vazhdon ish ministri. Do të thotë që vdekja në vetvete, nuk ka asnjë kuptim. Kush ka rëndësi, është se si vdes, nëse mundesh me u nda nga kjo botë me nder, por se në asnjë sekondë, të mos lëshosh krenarinë dhe gjakftohtësinë. Një burrë, i cili vdes si i gjorë, përhap turp mbi fisin e tij, deri në brezin e tretë dhe të katërt. Është keq të jesh hajdut dhe vrasës, por është shumë më keq, të jesh një frikacak. Krimineli për arsye të guximit, mund të kërkoj nderim dhe respekt, ai frikacaku është krejtësisht jashtë shoqërisë shqiptare. Ai është një mortajë dhe i ngjitet çdo njërit, që ai bie në kontakt.

Një herë ndodhi që, një bandit do të varej në pjesën e jugut të vendit dhe një grumbull spektatorësh të interesuar, ishin mbledhur për të parë ngjarjen. Arixhiu, i cili do të zbatonte ekzekutimin, gjithnjë është arixhi, që merren për kësi detyrash, përgatiti me shumë kujdes një trekëndësh impresionues druri. Metoda e varjes është kjo, fajtori hipën në një karrige, nën trekëndëshin e drurit dhe i vihet një lak rreth qafës, pastaj korrikja shqelmohet me një anë.

Kur ai i dënuari me vdekje, me këmishë të bardhë u soll përpara dhe hipi në karrigen, u pa që litari ishte i shkurtër. Laku sillej pezull mbi kokën e të dënuarit, me vdekje. Atëherë pyetën banditin, nëse ai ishte kundër, që të hipte në qafë të një xhandari, që të mund të kryhej puna. Banditi u përgjigj me përzemërsi, se ai nuk kishte aspak kundërshtim për këtë zgjidhje dhe i qetë u ngjit në kurriz të xhandarit, ndërsa arixhiu hipi lart, në majë të skelës dhe i futi litarin, rreth qafës. Por për arsye të pakujdesisë së arixhiut, ndodhi që nyja e litarit preku në syrin e të dënuarit në litar.

Dhe ai u inatos:

-Djall! Bërtiti ai. Djall i mallkuar! Unë kam ardhur këtu për t’u var dhe jo për t’u keqtrajtuar!

Dhe pas shumë kërkim faljesh, me respekt nga ana e arixhiut, ekzekutimi u krye sipas zakonit, mbaroi Lef Nosi dhe drejtoi fesin në kokë.

Unë e vërejta gjithë kohën, se ai mbajti qeleshen në kokë dhe i thash:

-Unë e kuptoj se ju jeni mysliman? Ju nuk e hiqni fesin.

-Jo, përgjigjet Lef Nosi. Unë jam kristjan. Por prandaj nuk duhet me i pa gjithë zakonet muhamedane, me përçmim.

Ai nuk tha gjë më për këtë punë, por unë e kuptova më vonë, pse ai i qëndronte kaq fort, pikërisht këtij zakoni. Ai në fakt ishte tullac. Ka hulumtues, të cilët thonë, se edhe i madhi Muhamed, kishte flokë të rrallë dhe kjo vetvetiu, të jep shpjegimin për kërkesën, me këmbëngulje që mbulesa e kokës të mbahet, si brenda ashtu dhe jashtë shtëpisë.

Pak më vonë shkuam në një shëtitje të vogël, për të përshëndet në një “shtëpi të vërtetë muhamedane” siç u shpreh Mrs. Haslock. “Shtëpia reale muhamedane”, prej rruge dukej sikur gjithë shtëpitë banuese të tjera të qytetit: një mur i bardhë i lartë, një derë druri gjigante dhe shumë e sigurt, një ballkon i brishtë, që dilte jashtë, mbi qoshet e murit, me dritare të shpeshta me kangjella dhe mure me brima. Kur hymë në derë, shohim një oborr të madh, të shtruar me pllaka guri, ku pjesën e fundit e zinte shtëpia e banimit, një ndërtesë e gjatë druri, më një verandë të gjatë, në të cilën pashë disa figura grash, me veshje të bardha, që me shpejtësi u futën brenda shtëpisë, për siguri. Babai i shtëpisë, një bujk i pasur më mustaqe të bardha, na uroi mirëseardhjen, sipas zakonit të vendit: t’ue vu dorën në zemër dhe thërret: “Tu ngjat jeta”! Dhe ne pastaj i përgjigjemi po në atë mënyrë, bëmë një vizitë nëpër dhomat.

Qe mjaft interesante, të shohësh se si një bujk i pasur në Elbasan, jeton dhe e kalon. Dhomat janë të vogla dhe të errëta dhe i mungojnë totalisht, çfarë ne zakonisht në kuptim evropian mendojmë, me mobile. Asnjë tavolinë, asnjë karrige, asnjëfarë dekorimi. Gjatë rrëzë mureve, ka shilte dhe aty këtu në qoshet, kanë vu në stivë jastëkë, me të cilët rregullojnë vendin e shtrirjes për natën. Qe një banesë mjaft e zymtë dhe pa ngjyrë, pa asnjë mundim për një përgatitje, më me shije ose me gjëra zbukurimi të ndonjë forme.

Ai katundari i mirë, ndihej i kënaqur nga krenaria, kur na demonstroi pallatin e tij. Ai ishte i kënaqur më jetën e tij. Por ne nuk mund t´i shpëtonim konstatimit, se shtëpia e tij me të vërtetë ishte e zymtë. Edhe vetmia, kontribuoi të përforcojë atë përshtypjen e zymtë. Nëse zoti i shtëpisë kishte një familje mjaft numërose, nuk u pa asnjë shpirt i gjallë. Unë dëgjova pastaj, se gratë e familjes, ishin shtypur në një korridor shumë të fshehtë, sikurse u takon dhe u ka hije damave, shumë të edukuara muhamedane.

Pastaj qëndruam jashtë, në verandën e gjatë dhe falënderuam zotin e shtëpisë, për atë që na lejoi të shohim. Por këtu unë zbuloj diçka, që duket si rreze dielli, në këtë banesën e errët pa stil dhe personalitet: në një qoshe, pashë një tavolinë të vogël dhe mbi të, ishte një qëndisje, të cilën ndonjë nga gratë e ka braktisur, kur ajo e tmerruar, ka ik pas ardhjes sonë. Ishte një copë e madhe kadifeje, në ngjyrë violetë e futur në gjergjef. Në stofin shihen dredhat e hijshme lulesh dhe dredha floriri të pastër, që së bashku ato, formonin një nga mostrat e mrekullueshme, që unë kam parë ndonjë herë.

Kjo që një copë e orientit përrallor, e cila befas dhe papritmas, u paraqit këtu në këtë qoshen e verandës së papastër. Mikpritësi ynë na sqaroi, se ishte bija e tij e madhe, që punonte me rrobat dhëndërore e burrit të ardhshëm. Kjo qëndisja e bukur, dalë nga dalë, do të bëhej një tallagan i shkëlqyeshëm, por puna mori shumë kohë dhe zgjati ndonjë vit, deri sa mbaroi. Ai e llogariti që dasma, do të mund të bëhej në atë kohë. Ndoshta madama, që ishte zonja ime, dëshironte të takonte vajzën e madhe?

Ne të tjerët u tërhoqëm me respekt prapa jashtë në rrugë dhe zonja ime dhe Mrs Haslock, qëndroi aty për të pritur deri sa vajza të guxonte, të dalë tinëz nga vendi i saj i fshehur. Biseda mendohet se ka shkuar kështu:

Mrs. Haslock: T’u ngjat jeta!

Vajza e re (me shaminë e hedhur pas, paraqet një formë të mirë fytyre, me sy, të zi të madhej): T’u ngjat jeta!

Mrs. Haslock: Nuk gëzohesh nga martesa jote?

Vajza (e turpëruar dhe shpejt): Unë jam e gëzuar.

Mrs: Haslock: Kur do martohesh?

Vajza: Kur të mbarohet tallagani.

Mrs. Haslock: E ke pa burrin e ardhshëm?

Vajza (e ofenduar): Natyrisht që jo.

Mrs. Haslock: Por unë e kam parë atë.

Vajza (e skuqur dhe e interesuar): Çfarë pamje ka?

Mrs. Haslock: Ai është shumë i bukur dhe i fortë.

Vajza (e ngazëlluar): Faleminderit, madame! Allahu u ruajt, madame!

Në këtë qosh të Evropës, ende nuk tingëllon mirë, që një grua të shohë burrin e saj, para dasmës. Në shumë raste, pambarim prindërit i fejojnë fëmijët, që kur janë në djep dhe një fejesë e tillë, është një kontratë zotimi, e cila duhet të plotësohet, kur djali të mbushi tetëmbëdhjetë vjeç dhe vajza pesëmbëdhjetë. Të thyesh kontratën, është një çështje serioze, që shumë shpesh rezulton në gjakmarrje dhe nën çdo rrethanë, të detyron për kompensim ekonomik. Por një thyerje kontrate, është pothuaj e jashtëzakonshme. Rinia nuk e llogarit fare, për ndonjë liri në çështjet e martesave.

Në ato raste kur nuk ndodhin fejesa fëmijësh, atëherë përdoret zakoni muhamedan. Nëna, e cila duhet të gjejë një grua, për djalin e rritur, për ta martuar, del për të shikuar për nuse: kryen vizita nëpër familje me vajza të rritura, për t’u martuar, pastaj ajo me kujdes, kërkon të formojë një opinion nga shërbimi i brendshëm dhe i jashtëm i tyre dhe jo më pak, nga gjendja ekonomike. Një martesë është në të vërtetë një ndërmarrje, me rëndësi të madhe ekonomike. Nëse ajo ka gjetur një vajzë, që duket se i përshtatet djalit të saj dhe ka ardhë në marrëveshje me prindërit e vajzës, atëherë fejohen ata dy të rinjtë, por pa pas rast të takohen. Dita e martesës, caktohet zakonisht ditën e vitit pas fejesës, pastaj kurorëzimi bëhet në shtëpinë e nuses, ku nusja paraqitet shumë e mbuluar, për t´u zbuluar gjatë aktit të kurorëzimit.

Ceremonia e dasmës, ndryshon pak brenda fiseve të ndryshme. Më e çuditshme, ndoshta është midis malësorëve, në pjesën veriore të vendit, zbatimi i ritualit. Atje dasma është fare tragjikomedi. Vërtetë çifti ka rast të shohë njëri tjetrin, që para martesës, nëse njëri nga ta, nuk banon në ndonjë qytet, ku ka rregulla më rigoroze, por në këmbim, është rituali i martesës më e mundimshme.

Malësorët më shumë janë katolik, por me që kishat e tyre janë të pakta dhe distancat të gjata, akti i kurorëzimit, kryhet zakonisht para shtëpisë, me një altar të improvizuar.

Miq dhe fisi mbushin grumbull shtëpinë e dhëndrit, kur nusja e re, me veshjen e bukur, çohet para altarit, ku ajo bie në gjunjë. Ndërsa ajo e gjunjëzuar aty dridhet dhe nervozohet, ngjan papritur një rrëmujë e madhe në derë dhe brenda hyjnë katër burra, tue tërheq dhëndrin, i cili bën sikur kundërshton dhunshëm. Ai proteston dhe gërthet, tërhiqet dhe shqyhet në duart e shokëve, por më në fund, ai detyrohet poshtë në anën e nuses, pastaj vjen prifti tek altari.

Në fillim lexohen disa lutje, pastaj kurorëzuesi, pyet nusen nëse ajo e do dhëndrin për burrë. Por tani zakoni kërkon, që nusja të heshtë dhe e pa epur, shikon në dysheme. Që të përgjigjesh menjëherë, po dhe ndoshta bile të dukesh e gëzuar, do të ishte një thyerje zakoni. Prifti e përsërit pyetjen, por nusja mbetet e heshtur dhe e pa lëvizshme. Veç herën e tretë, mund të bindet për një pohim me kokë, me vështirësi. Të thuash diçka do të ishte shumë e pavend. Por dhëndri lejohet të thotë po, po—ja, po—me zë të lartë. Ai është detyruar tani të marrë një vendim, atëherë ai duhet ta shpallë vendimin si një burrë.

Pasi ka përfunduar kurorëzimi dhe ato kundërshtimet e njëri tjetrit, pra u bashkuan sipas rregullit të religjionit dhe tradicionit, fillon festa e gëzueshme. Në dhomën e kurorëzimit, shtrohet gostia e festës për burrat dhe në një tjetër dhomë, për gratë. Në tavolinën e bukës së burrave, është dhëndëri në krye, tek e grave, është nusja. Ndërsa miqtë nxehen shumë e më shumë, dhe atmosfera ngrihet për çdo minutë, duhet si dhëndëri ashtu dhe nusja, secili në dhomë të vet, të tregohen indiferentë, mospërfillës dhe të mërzitur.

Ata përreth duhet t’i detyrojnë me zor të hanë gjërat e shijshme, që tavolina është aq plot, sa përkulet nga pesha dhe mundohen t´i ngushëllojnë me fjalë miqësore dhe inkurajuese. Nusja luan ende rolin e memecit, dhëndëri është i ashpër dhe fjalë pak. Më vonë vjen dikush dhe i pëshpërit në vesh burrit të porsa martuar, se bashkëshortja e tij, e pret në dhomën e nusërisë. Dhëndëri çohet dhe kërkon ndonjë falje, ai do të kontrolloj në se porta është e mbyllur ose do të përgatisë armët për gjuetinë e nesërme, shkon tinës tek nusja e tij. Në mëngjes, niset për rrugë që në lindjen e diellit, që asnjë të mos dyshojë, se ai është dorëzuar nga bukuria e bashkëshortes.

Bashkëshortja e re ka tani përpara saj, dy ditë të tmerrshme. Menjëherë sapo ka dalë burri, ajo vishet dhe qëndron drejt, si e ngrirë në një qoshe të dhomës. Ajo duhet të qëndroj kështu, ndërsa gjithë gratë e zonës, parakalojnë përpara saj, në një rresht pambarim dhe ndërrojnë me njëra tjetrën, pikëpamje pak a shumë të përzemërta, mbi përparësitë fizike. Ajo nuk duhet të flasë, nuk duhet të lëvizë. Sa më shumë e ngrirë të rrijë, aq më e edukuar dhe e denjë është. Ajo nuk duhet as të haj, veç se çfarë mundet me i fut në gojë e ëma, në ato çaste të pakta kur dhoma është bosh. Ajo është një statujë pa fjalë dhe aftësi lëvizje. Kjo torturë vazhdon edhe ditën tjetër dhe ditën e tretë, pas dasmës, lejohet nusja të përzihet në të drejtat e zonjës së shtëpisë.

Në një pjesë të qyteteve veriore shqiptare, gratë e malësorëve janë të mbuluara edhe pse janë katolike dhe në këta qytete, gjen një variant argëtues, në ceremoninë e dasmës. Kur nusja hynë brenda në shtëpinë e dhëndrit, ajo është një grua mjaft e çuditshme, që hynë brenda: ajo është me fustane të gjata, me xhoka të thurura me flori, perçe dhe shalle që dy gra duhet ta mbajnë, që ajo të mund të çaj përpara mbi dysheme, me ambalazhin e saj fantastik. Kur ajo ende me ndihmën e të dyja grave, bie në gjunjë dhe i zbulohet fytyra, tërhiqet dhëndëri në atë mënyrë, siç e përshkrova pak më përpara, por me siguri ai gjendet në një tension edhe më të madh. Ai shikon nusen e tij për herë të parë. /Memorie.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb