Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Përgjigje jomyslimanëve në pyetjet më të shpeshta për islamin. “Përhapja e së vërtetës rreth Islamit”, i autorit Dr. Zakir Abdul Kerim Naik, i përkthyer në gjuhën shqipe, ka qarkulluar dje në rrjetet sociale si një libër që nxit dhunë dhe përhap urrejtje, nisur edhe nga ngjarjet e ndodhura në Paris (në anglisht gjendet me këtë titull: Answers to non-muslims’ common questions about islam.

Spreading the truth of islam). Shkak për këtë është bërë faqja 47 e këtij libri, dhe ka qenë shkrimtarja Flutura Açka ajo që e ka postuar në rrjetin social Facebook me shënimin: Libra si ky shiten qetë-qetë në panair, në shqip e pa taksë… Ndërsa sa për skenat e mbrëmshme në Paris janë përshkruar gati besnikërisht nga parashikuesi ogurzi Michel Huellebecq te “Nënshtrimi”.

“Gazeta Shqiptare” e ka kërkuar librin në panair por nuk e ka gjetur në asnjë stendë, pra libri nuk është në panairin e Tiranës. Ndërkaq, edhe në botimin në gjuhën angleze, mesazhi është i njëjtë.

Libri
Në faqen 47 të librit shkruhet: “5. Çdo musliman duhet të jetë terrorist. Terrorist është ai person apo individ i cili shkakton tmerr/terror. Në çastin kur hajduti shikon policin, ai do të llahtariset. Për vjedhësin, (hajdutin) polici është terrorist. Ngjashëm me këtë, çdo mus­liman duhet të jetë terrorist kur janë në pyetje faktorët armiqësorë të shoqërisë, f.v.; hajdutët dhe përdhunuesit. Sa herë që muslimani vëren ndonjë veprim të tillë kundërshoqëror, ai duhet tmerruar.

Është e vërtetë se nocioni ‘terrorist’ në përgjithësi përdoret për personin, i cili shkakton terror në mes të njerëzve të rëndomtë. Mirëpo, muslimani i vërtetë duhet të jetë terrorist vetëm me njerëzit negativë, si për shembull; me ata që janë kundër elementeve shoqërore, e assesi karshi njerëzve të pafajshëm e të rëndomtë. Ç’është e vërteta, muslimani duhet të jetë burim i paqes për njerëzit e pafajshëm”. Libri në fjalë është botim i vitit 2010″. Përkthyesi dhe përshtatësi i tij në shqip është Mr. Sci. Feim Dragusha, ndërsa redaktor gjuhësor Ermal Bega.

Reagimi
“Gazeta Shqiptare” ka mundur dje të kontaktojë me Ermal Begën, një nga redaktorët e librit dhe njëherësh, drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale, Tiranë. Ai është pyetur nga “GSH”, se si është e mundur që është botuar në shqip dhe lihet në qarkullim, një libër i redaktuar prej tij ku thuhet se çdo mysliman duhet të jetë terrorist. Bega është përgjigjur, se një nga librat e atij autori që ka përkthyer është “Islami dhe Shkenca Bashkëkohore”. “Sipas meje dhe myslimanëve të drejtë nuk ka aspak lidhje me terrorizmin, dhe vetë fjala ‘terror’ është krijuar nga të tjerë jomyslimanë… Prandaj, mendoj që fjala ‘terrorist’ për myslimanin dhe Islamin, që d.m.th ‘paqe’, është e papranueshme në fjalorin e përditshëm”.

Pyetjes së “GSH”, se a përhap mesazhe dhune dhe a i fyen myslimanët ky libër, Bega i është përgjigjur: “Mendoj se shumë libra, si ky që po flet, kanë dhe karakter kulturor, jo patjetër duhet të përçojnë një ide të caktuar. Unë, sigurisht, nuk jam i njohur me fjalët e atij autorit në anglisht origjinal në këtë libër, por personalisht mendoj se në anglisht direkt, vetë autori do të ketë pasur një ide ose mendim tjetër, jo atë të drejtpërdrejtë, se nuk më duket i pranueshëm në shqip”.

Mandej, pyetjes tjetër, që “ju si mysliman, a jeni dakord që një libër t’i thotë myslimanit ‘duhet të jesh terrorist’?”, ai i përgjigjet: “E sqarova më lart, që një musliman nuk ka lidhje fare as me fjalën ‘terrorist’, se vetë atyre ua kanë detyruar ta pranojnë. Por them që, mbase autori në anglisht e ka pasur me ndonjë kuptim tjetër, nuk e di. Po sigurisht, për si ka ardhur në shqip (që nuk e kam parë versionin anglisht), tani që e rilexova them me gjithë gojën, që është e papranueshme që një musliman të quhet ‘terrorist’, nga çdokush, ose që ‘duhet të jesh terrorist”.

KODI PENAL
Kodi Penal në Republikën e Shqipërisë ka dy nene, që u dedikohen urrejtjes ndërmjet kombësive, racave dhe feve. Në të dyja nenet përcaktohet edhe dënimi që parashikohet në rastin kur një person shkel ligjin. Nenet po i citojmë më poshtë: “Neni 265 – Nxitja e urrejtjes ose grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve. Nxitja e urrejtjes dhe e grindjeve raciale, nacionale ose fetare, si dhe përgatitja, përhapja ose ruajtja me qëllim përhapjeje e shkrimeve me përmbajtje të tillë, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet”. Ndërkaq, neni 266 flet për urrejtjen nacionale. Mbetet për t’u parë nëse këto dy nene të Kodit Penal ndalojnë qarkullimin e këtij botimi apo jo, dhe si është e mundur që ai lihet ende në qarkullim?! A i kontrollon Komuniteti Mysliman Shqiptar botime të tilla?
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb