NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE- Agjencia Kombëtare e Provimeve publikon kalendarin e provimit të shtetit për mësuesinë. Sipas AKP-së, dita e parë e provimit nis në datën 26 nëntor me mësuesit e Gjuhës Shqipe, dhe do të mbyllet në datën 11 dhjetor me mësuesit e Informatikës. Kandidatët duhet të bëjnë verifikimin e emrave në lista; në rast të ndryshimit të mbiemrit, kandidati të paraqesë certifikatën përkatëse që vërteton këtë ndryshim si dhe mjetin e identifikimit dhe mandat-pagesën e tarifës së regjistrimit për provim shteti. Kalimi me sukses i këtij provimi u jep të drejtë aplikantëve që të marrin licencën e ushtrimit të profesionit, në të kundërt nuk mund të punësohen. Për profesionet e mjekësisë, provimi i shtetit këtë vit do të startojë në 14 dhjetor.

KALENDARI
Në total në këtë sezon, provimit të shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit do t’i nënshtrohen rreth 1000 kandidatë. Sipas kalendarit të AKP-së, ditën e enjte, më 26 nëntor 2015, do të zhvillohet testimi për rreth 250 mësues të Gjuhës Shqipe, më pas në datën 27 nëntor do hyjnë në provim mësuesit e gjuhës angleze. Për shkak të festave të nëntorit, provimi nuk do të zhvillohet dy ditët e para të javës që vjen, por do të rinisë në datën 2 dhjetor me mësuesit e arsimit fillor.

Sipas kalendarit zyrtar të publikuar nga AKP-ja në datën 3 dhjetor, provimit do t’i nënshtrohen kandidatët e disa profileve, pasi grupi i parë, i cili e nis provimin në orën 9:00, janë mësues të gjuhës italiane; grupi i dytë, i cili nis në 11:30, janë mësues të Biologjisë; në orën 14:00 do jenë mësuesit në profilin Kimi; ndërsa në grupin e fundit, në orën 15:30, do jenë mësues të gjuhës gjermane. Ditën e premte, në datën 4 dhjetor, të tria grupet e mësuesve që do të hyjnë në provim janë mësuesit e Biologji- Kimisë.

Mësuesit e Edukimit Fizik do hyjnë në provimin e shtetit për t’u pajisur me licencën e ushtrimit të profesionit në datën 7 dhjetor. Një ditë më pas, në 8 dhjetor, do japin provimin mësuesit në profilin Matematikë dhe Fizikë. Ndërsa në datat 9 dhe 10 dhjetor do hyjnë në provim më shumë se 200 mësues të profileve Histori dhe Gjeografi. Në datën 11 dhjetor, e cila shënon dhe ditën e fundit të provimit të shtetit për mësuesit, do hyjnë në provim në grupin e parë mësues të gjuhës frënge, ndërsa në dy grupet e tjera do t’i nënshtrohen provimit mësues të lëndës Matematikë-Informatikë dhe Informatikës.

AKP-ja ende nuk ka publikuar kalendarin për profesionet e mjekësisë, por për ta dita e parë e provimit do të jetë data 14 dhjetor. Në total janë regjistruar rreth 1000 mësues të rinj që do japin provimin për ushtrimin e profesionit. Provimi i shtetit zhvillohet në tri deri katër seanca çdo ditë, për arsye se AKP-ja ka vetëm tri salla dhe brenda një dite mund të testohen maksimalisht deri në 140 kandidatë.

DOKUMENTET & TARIFA
AKP-ja njofton, se ditën e provimit kandidatët duhet të kenë me vete letërnjoftimin (ID) dhe një fotokopje të tij, mandat-pagesën e tarifës së provimit të shtetit dhe faturën, e publikuar nga AKP, vulosur mundësisht nga Posta Shqiptare ose, në pamundësi, nga çdo bankë e nivelit të dytë; në rast të ndryshimit të mbiemrit, kandidati të paraqesë certifikatën përkatëse që vërteton këtë ndryshim. Kandidati duhet të duhet të paraqitet në AKP 40 minuta para fillimit të provimit të shtetit. Për sa i përket tarifës, ajo vjen në rritje në mënyrë progresive, në varësi të herëve që kandidati i është nënshtruar provimit të shtetit.

Kandidatët që hyjnë për herë të parë në provim të shtetit paguajnë 10 mijë lekë, ata që testohen për herë të dytë 12,500 lekë, për herë të tretë 15 mijë lekë, ndërsa ata që po testohen për herën e katërt është 17,500 lekë të reja, ndërsa shansi i fundit, kandidatët që testohen për herë të pestë është 20 mijë lekë. Faturën e pagesës të interesuarit mund ta gjejnë në faqen zyrtare të AKP. Nëse kandidatët nuk e kalojnë me sukses këtë provim, ata nuk kanë të drejtën e ushtrimit të profesionit të tyre për të cilin kanë mbaruar studimet e larta.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: