NGA: ERMELINDA HOXHAJ

Provimi i shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit do të zhvillohet tri javët e para të muajit korrik. Të drejtën për të hyrë në këtë provim e kanë të gjithë kandidatët që kanë mbaruar për mësuesi dhe kanë përfunduar me sukses praktikën profesionale. Nëse në këtë provim kandidatët dalin me sukses, atëherë u lind e drejta e ushtrimit të profesionit të mësuesit. Agjencia Kombëtare e Provimit njofton mësuesit se testimi për ta starton në fillim të muajit korrik dhe do të zgjasë tri javët e para të muajit korrik, pra nga data 1-22 korrik 2015. Duke qenë se mësuesit nuk kanë një urdhër përkatës për profesionin, rolin e urdhrit e bëjnë Drejtoritë Arsimore Rajonale. Drejtoria Arsimore Rajonale Tiranë njofton se kandidatët që janë përsëritës, duke nisur nga sot dhe deri në datë 30 qershor mund të bëjnë regjistrimin pranë DAR Tiranë duke nisur nga sot, pra datë 25 qershor deri në datë 30 qershor mund të bëjnë regjistrimin në drejtori arsimore. Kandidatët që mbarojnë me sukses praktikën profesionale këtë vit shkollor 2014-2015 janë të regjistruar.

REGJISTRIMI
Sipas Drejtorisë Arsimore Tiranë, kandidatët të cilët kanë zhvilluar praktikën profesionale pranë DAR Tiranë në vitin shkollor 2014-2015 janë të regjistruar. Ndërsa kandidatët të cilët janë diplomuar pas datës 12 janar 2011 dhe pas diplomimit kanë punuar në një institucion publik/privat, do të pranohen në provimin e shtetit vetëm nëse kanë të dokumentuar një vit (12 muaj) pune në librezën e punës. Dokumentet që kërkohen:

CV, librezë pune (e noterizuar), diplomë e nivelit të parë, listë notash të noterizuar, master i shkencave/ ose master profesional (listë notash) vetëm ata që e kanë për mësuesi, dëshmi penaliteti, raport mjeko-ligjor, vërtetim vendbanimi, kartë identiteti e noterizuar, vlerësim pune. Po ashtu edhe kandidatët të cilët janë mbetës në sezonet e mëparshme të provimit të shtetit duhet të regjistrohen përsëri dhe duhet të dorëzojnë në drejtoritë arsimore dokumentet si më poshtë: fotokopje e kartës se identitetit, vërtetim nga institucioni arsimor ku ka zhvilluar praktikën profesionale 1-vjeçare, fotokopje e certifikatës së praktikës profesionale. Afati i regjistrimit për kandidatët e mësipërm është data 25 qershor – 30 qershor 2015 ora 11:00-14:00. Në rast ndryshimi të mbiemrit, kandidati/ja duhet të paraqesë certifikatën përkatëse që vërteton ndryshimin e mbiemrit.

Data&Tarifat
Agjencia Kombëtare e Provimit njofton se provimi i shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit do të zhvillohet në fillim të muajit korrik. “Provimi i shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit do të zhvillohet gjatë tri javëve të para të muajit korrik. Testimi do të zhvillohet në godinën e Agjencisë Kombëtare të Provimeve”, thuhet në njoftimin e AKP. Por datat dhe oraret sipas profileve do të publikohen në ditët në vijim. Pritët që në total për këtë sezon të jenë rreth 2000 kandidatë, të cilët përfundojnë këtë vit me sukses praktiken profesionale, ose janë kandidatë që do të ripërsërisin provimin, pasi nuk e kanë marrë në sezonet e mëparshme. Të gjithë kandidatët që do hynë në testim mund të gjejnë në faqen zyrtare të AKP fondin e pyetjeve që do të bien në provim si dhe programet orientuese. Ndërsa për sa i përket tarifës, ajo vjen në rritje në mënyrë progresive, në varësi të herëve që kandidati i është nënshtruar provimit të shtetit. Nga 10 mijë lekë që paguan kandidati që i nënshtrohet provimit për herë të parë, ata që do të testohen për herë të dytë e kanë 12 mijë lekë, testimi për herë të tretë e ka tarifën 15 mijë lekë, për herë të katërt 17 mijë lekë, ndërsa më të lartë e kanë ata që testohen për herë të pestë, pasi duhet të paguajnë 20 mijë lekë. Faturën e pagesës kandidatët mund ta gjejnë në faqen zyrtare të AKP, nëpërmjet saj ata duhet të bëjnë pagesën në një bankë të nivelit të dytë ose në postë. Pasi në ditën që do hynë në provim, mandatarkëtimin e kryerjes së pagesës duhet ta kenë me vete.

Dokumentet
&Rregullat

Sipas rregullores së provimit të shtetit, kandidatët duhet të paraqitet në AKP 40 minuta para fillimit të provimit të shtetit. Ditën e provimit duhet të kenë me vete letërnjoftimin ose pasaportë për pjesëmarrje në provimin e shtetit si dhe fotokopje të tij, vërtetim regjistrimi si dhe faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit. Sipas AKP, në rast se ka kandidatët kanë ndryshuar mbiemrin, ata duhet të paraqesin certifikatën përkatëse që vërteton këtë ndryshim. Po ashtu, për paraqitjen në qendrat e provimit kandidati duhet të ketë parasysh rregullat e mëposhtme: ndalohet marrja me vete dhe përdorimi i celularëve dhe mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi kjo vlerësohet si kriter skualifikimi, ndalohet duhani dhe konsumimi i ushqimit në mjediset e provimit, ndalohet komunikimi gjatë zhvillimit të provimit.

Provimi i shtetit, tarifat dhe dokumentet

Regjistrimi pranë Drejtorisë Arsimore Tiranë.

• Kandidatët, të cilët kanë zhvilluar praktikën profesionale pranë DAR Tiranë në vitin shkollor 2014-2015 janë të regjistruar.

• Kandidatët të cilët janë diplomuar pas datës 12 janar 2011 dhe pas diplomimit kanë punuar në një institucion publik/privat, do të pranohen në provimin e shtetit vetëm nëse kanë të dokumentuar një vit (12 muaj) pune në librezën e punës.

Dokumentet që do të kërkohen:
• a. CV
• b. Librezë pune (e noterizuar).
• c. Diplomë e nivelit të parë, listë notash të noterizuar.
• d. Master i shkencave ose master profesional (listë notash) vetëm ata që e kanë për mësuesi, e noterizuar).
• e. Dëshmi Penaliteti.
• f. Raport mjeko-ligjor.
• g. Vërtetim vendbanimi.
• h. Kartë identiteti e noterizuar.
• i. Vlerësim pune.

Kandidatët të cilët janë quajtur mbetës në sezonet e provimit të shtetit dhe do të regjistrohen përsëri do të sjellin dokumentet si më poshtë:
• a. Fotokopje e kartës së identitetit.
• b. Vërtetim nga institucioni arsimor ku ka zhvilluar praktikën profesionale 1-vjeçare.
• c. Fotokopje e certifikatës së praktikës profesionale.
Afati i regjistrimit: 25 qershor 2015-30 qershor 2015 ora 11:00-14:00

Tarifat për provimin e shtetit
• Pagesa për herë të parë 10.000 lekë
• Pagesa për herë të dytë 12.500 lekë
• Pagesa për herë të tretë 15.000 lekë
• Pagesa për herë të katërt 17.500 lekë
• Pagesa për herë të pastë 20.000 lekë

Dokumentet për hyrjen në provim të shtetit
• Kandidati duhet të paraqitet në AKP 40 minuta para fillimit të provimit të shtetit.
• Ditën e provimit kandidati duhet të jetë i pajisur me:
• Letërnjoftim (kartë ID ose pasaportë) për pjesëmarrje në provimin e shtetit (dokumenti origjinal).
• Kopje të kartë ID ose pasaportë.
• Faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit për llogari të AKP në një bankë të nivelit të dytë/postë (sipas faturës për arkëtim të publikuar në faqen zyrtare të AKP).
• Në rast ndryshimi të mbiemrit, kandidati të paraqesë certifikatën përkatëse që vërteton këtë ndryshim.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: