Mediat në Beograd kanë filluar të spekulojnë se çfarë qëndron pas fushatës së egër të nisur nga ministri i Jashtëm Daçiq tash e disa javë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Mediat serbe njoftojnë se kryeministri serb Aleksandar Vuçiç tashmë ka pranuar të nënshkruajë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, por që ministri i tij, Ivica Daçiç, dhe presidenti Nikoliç janë duke e sabotuar.

Kështu, e përditshmja “Danas”, e cila, siç transmeton televizioni publik, njihet për kontakte të mira me korin diplomatik në Beograd, ka botuar një shkrim sot ku thuhet se në Beograd po shfaqën shenjat e para të plasaritjes midis lidershipit serb rreth asaj sa e të bllokohet Kosova në përpjekjet e saj për t’iu bashkuar organizmave ndërkombëtarë.

Sipas ‘Danas’, marrëveshja e ardhshme që pritet të arrihet në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel do të nënkuptojë mospengimin e anëtarësimin të Kosovës në organizata ndërkombëtare të tilla si UNESCO, INTERPOL dhe agjenci të tjera dhe se kjo përbën një kërkesë të qartë të kancelares gjermane Angela Merkel ndaj kryeministrit Vuçiç.

E përditshmja beogradase raporton se “çështja më e ndjeshme është anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare, sepse nëse kjo arrihet pas marrëveshjes më 25 gusht, atëherë kjo i bën automatikisht jorelevante veprimet diplomatike të Beogradit kundër anëtarësimit të shtetit të vetëshpallur të Kosovës në UNESCO”.

Njëkohësisht, sipas burimeve të Danas, “shefi i diplomacisë serbe dhe presidenti Nikoliç këmbëngulin të sabotojnë Vuçiçin në përkushtimin e tij që të nënshkruajë marrëveshje të reja me Kosovën”.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb