Lideri çeçen, Ramzan Kadyrov, ka akuzuar zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov për pabesi, duke pretenduar se është pikërisht ai që ka komplotuar për të marrë kontrollin e elitës së sigurisë ruse.

“Diçka duhet bërë për këtë”, tha Kadyrov.

Një ish-luftëtar separatist, Kadyrov e zhvendosi besnikërinë e tij ndaj Kremlinit në vitin 2000. Ai sundon Çeçeninë, një republikë kryesisht myslimane në Rusinë jugore, me një kontroll të hekurt. Forcat e tij janë akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriut, duke përfshirë torturat dhe vrasjet pa gjyq. Ai e ka përshkruar luftën e Kremlinit në Ukrainë si një “xhihad” për luftëtarët çeçenë .

“Peskov konsiderohej si një lloj mishërimi i Putinit dhe askush nuk e kishte kundërshtuar këtë status. Ai ishte i pathyeshëm dhe i paprekshëm. Jo tani”, shkroi Kirill Rogov, një analist politik rus.

Komentet e liderit çeçen erdhën pasi ai kritikoi gjithashtu Vladimir Medinsky, kreun e delegacionit të Kremlinit në bisedimet me Ukrainën , lidhur me njoftimin e tij për tërheqjen nga rajoni i Kievit. Kadyrov sugjeroi që goja e Medinskit të mbyllej me shirit.

Megjithatë, Tatiana Stanovaya, një analiste politike që fokusohet në Kremlin, tha se ishte e pakuptimtë të pritej që Kadyrov të merrte kontrollin e krahut të sigurisë.
“Kadyrov është një problem për Kremlinin, po,” tha ajo. Por Putini duhet vetëm ta thërrasë atë në Kremlin dhe t’i thotë se ka vija të kuqe që ai nuk mund t’i kalojë. Tani për tani, ai është i zënë me gjëra të tjera. Ndërsa Putini është i fortë, ky nuk është një problem masiv për të.”

Stanovaya shtoi se ndërsa shumë njerëz në elitën ruse duan t’i jepet fund luftës, ishte
mendim i dëshiruar të pritej që ata të bënin një lëvizje vendimtare.
“Duhet të bëjmë dallimin mes atyre njerëzve që janë kundër luftës dhe atyre që janë të gatshëm të veprojnë,” tha ajo. “Elita e biznesit dhe ajo politike e kupton se nuk mund të ndikojnë në Putin. Dhe askush nuk e di se si e sheh ai daljen nga kjo krizë.”

Kadyrov tha se Peskov nuk kishte arritur ta uronte atë për gradimin e gjeneral-lejtnant dhe në vend të kësaj e kishte përshkruar Ivan Urgant, një prezantues televiziv që postoi një mesazh kundër luftës në mediat sociale, si një “patriot të madh”.

Peskov u përpoq të hidhte poshtë komentet e Kadyrov, duke thënë se ishte e padobishme që zyrtarët të përpiqeshin të kalonin njëri-tjetrin duke provuar se kush ishte më patrioti.

* Marrë nga The Times, përktheu dhe përshtati në shqip Redaksia e “BalkanWeb”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb