Lideri i opozitës izraelite, Yair Lapid, ka kërkuar nga presidenti Reuven Rivlin që ta caktojë atë për formimin e një qeverie të re.

Zyra e presidentit Rivlin konfirmoi marrjen e kërkesës nga Lapid, lider i partisë së majtë “Yesh Atid” (Ka ardhmëri), për t’i dhënë një mundësi për të formuar një qeveri koalicioni pasi të dy më herët u takuan në zyrën e presidentit në Kudsin Perëndimor.

Presidenti izraelit po ashtu pritet të takojë kreun e partisë së djathtë “Yamina”, Naftali Bennet, në një përpjekje për të formuar një qeveri mbi bazën e rotacionit në postin e kryeministrit midis liderëve Lapid dhe Bennet.

Kryeministri Benjamin Netanyahu nuk ka arritur të sigurojë votat parlamentare për të formuar një qeveri pas skadimit të 28 ditëve të tij për të përmbushur këtë detyrë.

Formimi i qeverisë kërkon mbështetjen e të paktën 61 prej 120 anëtarëve të parlamentit izraelit, diçka që Netanyahu nuk arriti ta bëjë.

Sipas ligjit izraelit, në rast se personi i dytë i ngarkuar për formimin e qeverisë dështon, presidenti izraelit do t’ia referojë detyrën parlamentit, i cili duhet të rekomandojë një deputet me mbështetjen e të paktën 61 deputetëve ose të thërrasë zgjidhje të reja.

Më 23 mars, Izraeli mbajti zgjedhjet e katërta brenda dy viteve. Netanyahu dhe partitë që njoftuan se do ta mbështesin atë mbetën me 52 deputetë, ndërsa blloku kundër tij kishte 57 deputetë.

Vendi është gati për mbajtjen e zgjedhjeve të pesta së shpejti nëse ngërçi politik vazhdon.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb