MAQEDONI E VERIUT

Lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski është shëruar nga COVID-19 pas një beteje 23-ditore. 12 prej ditëve Mickoski i kaloi në spital pasi ishte në gjendje të rëndë.

Ai ka një mesazh për qytetarët duke i porositur që mos të nënvlerësojnë virusin.

Po ashtu Mickoski premton se opozita do të vijojë luftën ndaj qeverisë aktuale që e cilëson të papërgjegjshme, të paaftë dhe kriminale.

“Thonë se një person i shëndetshëm ka shumë dëshira, ndërsa sëmuri vetëm një … është e vërtetë. Pas 23 ditësh luftë me virusin kovid dhe pas 12 ditëve të kaluara në Klinikën e Sëmundjeve Infektive, sot është dita e parë që nis detyrat e mia të rregullta të punës. Së pari, një falënderim i madh për ekipin mjekësor të Klinikës së Sëmundjeve Infektive pranë Spitalit Shtetëror “Nënë Tereza”. Në kushte të vështira ata luftojnë për çdo jetë, me resurset dhe kushtet që kanë në dispozicion. Familja ime gjithashtu u përball me këtë virus. Dhe dua t’u them të gjithëve: kujdesuni për veten dhe të dashurit tuaj! Virusi nuk duhet nënvlerësuar. Kujdes, sepse askush nuk do ta bëjë këtë në vendin tënd. Ne vazhdojmë të luftojmë kundër kësaj qeverie të papërgjegjshme, të paaftë dhe kriminale, edhe më ashpër, edhe më të fortë. Pse Maqedonia duhet të qëndrojë në këmbë të shëndosha”, ka shkruar Mickoski.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb