Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka thënë se është i bindur se iranianët do të votojnë në zgjedhjet e kësaj jave për një parlament, i cili do t’i rezistojë ndikimit të fuqive të huaja, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Në një mesazh të postuar në ueb-faqen e tij, përpara zgjedhjeve të 26 shkurtit, Khamenei ka thënë se iranianët “do të votojnë për një parlament i cili vë në vend të parë dinjitetin dhe pavarësinë e Iranit dhe u bën ballë fuqive të huaja, ndikimi i të cilave në Iran është hequr”.

Zgjedhjet në Iran shihen si përballje midis politikanëve të linjës së ashpër dhe atyre të moderuar. Në zgjedhje do të votohet për anëtarët e parlamentit dhe për anëtarët e asamblesë, e cila është e autorizuar për caktimin e liderit të ardhshëm suprem të Iranit. Khamenei, 76 vjeç, sipas raporteve të pakonfirmuara, ka pasur probleme shëndetësore gjatë viteve të fundit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb