TIRANE

Në kuadër të programit të lidershipit, realizuar nga McCain Institute Arizona State University, në ambientet e universitetit “Luarasi” po zhvillohen disa sesione trajnimi me temë “Lidershipi në Politikë”. Politikanë nga forca të ndryshme politike kanë diskutuar me studentët rreth eksperiencave të tyre personale të lidershipit në politikë. Anëtari i Institutit McCain, Dael Dervishi, iu shpjegoi të pranishmëve se ky program synon trajnimin e të rinjve shqiptarë bazuar në vlera, etikë dhe lidership.

Politikanët e ftuar në dy javët e fundit ishin Ditmir Bushati, ish-ministër i jashtëm i Shqipërisë, anëtar i Kryesisë së PS, deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe së fundmi edhe i dërguar special i vendit tonë në OSBE, si edhe Belind Këlliçi, Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Anëtar i Kryesisë së PD. Bushati bashkëbisedoi me studentët mbi sfidat e lidershipit.

“Zhvillimi teknologjik besoj se do të ketë një ndikim shumë të madh edhe për sa i përket tregut të punës dhe do ta ridimensionojë gjithë tregun e punës” tha Bushati.

Ditmir Bushati tha se për të përballuar zhvillimet që ndikojnë në politikë e në tregun e punës, nevojiten të rinj të mirëarsimuar. Si pasojë ai e vuri theksin në mirëpërgatitjen e brezave të rinj.

“Sfidat janë nga më të ndryshmet sepse sot jetojmë në një Botë që është e ndryshme për shkak edhe të ndërlidhshmërisë, për shkak edhe të zhvillimeve teknologjike. Nevojitet një brez të rinjsh të shkolluar dhe të përgatitur për sfidat për të cilat shoqëria përballet. Dhe një pjesë e këtyre zhvillimeve ndikojnë drejtpërdrejtë në klimën politike, ndikojnë gjithashtu edhe në tregun e punës. Ka një grup të rinjsh shqiptarë që për shkak të rezultateve të tyre të shkëlqyera mund të jenë një aset për Shqipërinë e të nesërmes.” theksoi Bushati.

Në këto diskutime të hapura me studentët, të ftuarit nuk folën aspak për platforma politike të tyret apo të partive ku bëjnë pjesë, por vetëm për rrugëtimin e tyre personal dhe sfidat që lidhen me të. Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Belind Këlliçi tha se Shqipëria ka nevojë për modele të reja lidershipi.

“Është shumë e nevojshme që sot të rinjtë të adapotojnë modelet më të mira të lidershipeve, qoftë europianë, qoftë botërorë, për të bërë të mundur që të rikthejmë një model ndryshe në Shqipëri, ku gjithçka bazohet mbi vlerat, ku gjithçka bazohet mbi suksesin, ku gjithçka bazohet mbi parimet themelore, ku gjithçka bazohet mbi më të mirët, mbi kompeticionin mbi garën, mbi dijen. Të rinjve u këshilloj të jenë kurajoz, të ngrenë zërin, të luftojnë për të drejtat e tyre, të mos jenë si turma, të luftojnë për të ardhmen e tyre.”- tha Këlliçi.

Bashkëbisedimet e hapura mbi lidershipin në politikë do të vijojnë, ku e ftuara e radhës në universitetin Luarasi do të jetë deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Klajda Gjosha. Organizimi i këtyre takimeve ka si qëllim ekspozimin e liderëve të rinj shqiptare ndaj personaliteteve të ndryshme lokalë dhe ndërkombëtarë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb