Në universitetin “Luarasi” vijojnë sesionet e trajnimit “Lidershipi në politikë” nga McCain Institute Arizona State University. E ftuara speciale e kësaj jave ishte Klajda Gjosha, ish-ministre e Integrimit si dhe ish-deputete e Kuvendit të Shqipërisë për Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Në një bashkëbisedim të hapur me studentët e këtij programi, Gjosha foli mbi eksperiencën e saj në politikë e lidership. Ish-ministrja e Integrimit vuri theksin mbi promovimin e një lidershipi me vlera dhe me integritet, që mund të krijohet me ndryshimin e mentalitetit të partive politike.

Për sa i përket largimit masiv të të rinjve nga Shqipëria, Klajda Gjosha propozoi një analizë të mirëfilltë mbi këtë fenomen. Ish-deputetja e LSI-së vuri theksin mbi hartimin e një strategjie kombëtare për ekonominë në funksion të mirëqenies së qytetarëve.

Programi “Lidershipi në Politikë” ka si synim ekspozimin e liderëve të rinj shqiptare ndaj personaliteteve të ndryshme lokalë dhe ndërkombëtarë.
Politikanët e ftuar në dy javët e mëparshme ishin Ditmir Bushati, ish-ministër i jashtëm i Shqipërisë, anëtar i Kryesisë së PS, deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe së fundmi edhe i dërguar special i vendit tonë në OSBE, si edhe Belind Këlliçi, Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Anëtar i Kryesisë së PD.

Bashkëbisedimet e hapura mbi lidershipin në politikë do të finalizohen javën e ardhshme me certifikimin e të gjithë studentëve që ishin pjesë e këtyre sesioneve trajnuese.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb