TROPOJE- Gjykata e Tropojës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për vendosjen e masës arrest me burg për 3 punonjës të OSSHE, të akuzuar për “shpërdorim detyre”, si edhe për një shtetas, administrator i një lokali, i akuzuar për “vjedhje të energjisë elektrike”.

Këta shtetas janë ndaluar gjatë zbatimit të planit të përbashkët operacional ndërmjet Policisë së Shtetit dhe OSSHE. Nga materialet paraprake që ka në dispozicion Prokuroria e Tropojës, rezulton se punonjësit e OSSHE, shtetasit Shaqir Lamnica me detyrë elektriçist, Enea Madani me detyrë specialist faturimi dhe Bilbil Hykaj me detyrë specialist arkëtimesh, në kundërshtim me detyrën e tyre, nuk kanë konstatuar rilidhjet e paligjshme të kryera nga disa biznese. Këta shtetas dyshohet se, nëpërmjet process-verbaleve fictive, deklaronin pranë zyrave të tyre në OSSHE se bizneseve që u ishte ndërprerë linja elektrike, nuk kishin kryer rilidhje. Por, pas verifikimeve në terren, rezultoi se këto biznese kishin rilidhur energjinë elektrike.

Ndërsa shtetasi Florian Qehaja, administrator i një lokali, është konstatuar se vidhte energji elektrike nëpërmjet një linje të dytë, të fshehtë.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb