Përfaqësuesja e Italisë barazoi me atë të Portugalisë pa gola në Ligën e Kombeve. Në San Siro italianët zhvilluan një ndeshje më të mirë, por në fund nuk arritën të fitonin. Azzurrët rrezikuan me anë të  Lorenzo Insignes (5′), Ciro Immobile (5′) dhe Cristiano Biraghi (25′), por Rui Patricio nuk lejoi që vendasit të shënonin. Immobile (35′) kishte një tjetër rast të mirë për gol, ashtu si Leonardo Bonucci një minutë më vonë, por edhe një herë Rui Patricio u tregua vendimtar. Pjesa e dytë filloi me rastin e Federico Chiesas, kurse portugezët rrezikuan me anë të Joao Marios (73′) dhe William Carvalho (76′). Pas këtij barazimi Portugalia siguron vendin e parë në Grupin 3 të Ligës A me shtatë pikë. Kurse Italia renditet në vendin e dytë, por nuk arrin të kualifikohet, pasi nga katër ndeshje të luajtura arriti të siguronte vetëm pesë pikë. Ndeshja e ardhshme e Portugalisë është ndaj Polonisë, por rezultati nuk ka rëndësi, pra luhet vetëm për statistika pasi portugezët vazhdojnë më tutje në Ligën e Kombeve. (o.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb