Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ka komentuar shortin e hedhur sot në Lozanë të Zvicrës për Ligën e Kombeve. Vokrri nuk e fsheh se ky ishte një short i favorshëm për Kosovën dhe do të pretendohet vendi i parë, pavarësisht se Azerbajxhani dallohet mbi të tjerat.

“Trajneri është shumë i rëndësishëm, por nuk jemi ende të vendosur. Shorti është i vështirë, pasi kemi kundërshtar të fortë, siç është edhe Azerbajxhani, që në eliminatoret e fundit mori 10 pikë. Ne do të bëjmë më të mirën dhe besojmë se jemi më kualitativë se Malta dhe Ishujt Farao. Azerbajxhani për ne është skuadra më e fortë e grupit. Gjithsesi objektivi ynë është që të marrim vendin e parë në grup”, tha Vokrri.

Presidenti Vokrri ka konfirmuar se Kosova do të ketë së shpejti stadiumin e saj, ndërkohë që shumë intensive është puna e federatës për zgjedhjen e trajnerit. “Stadiumi i kombëtares është me rëndësi dhe pavarësisht se ne jemi ndjerë shumë mirë në Shkodër është e rëndësishme që të kemi stadiumin tonë. Sa i përket trajnerit, shumë shpejt do të kemi një emër. Kjo do të ndodhë për pak ditë. Kemi hyrë në një fazë të rëndësishme dhe besoj se në mesin e muajit të ardhshëm do kemi një emër. Janë shumë kandidatë në fakt, besoj se shumë shpejt do kemi një emër”, u shpreh Vokrri pas ceremonisë së shortit.

Për presidentin Vokrri eliminatoret e fundit i kanë shërbyer shumë Kosovës dhe tani skuadra është më e rritur dhe mund të kërkojë edhe objektiva. “Janë rritur vërtetë objektivat e Kosovës. Ne e bëmë prezantimin e parë që ka qenë edhe eksperienca jonë e parë, edhe si një eksperiement. Pavarësisht se morëm vetëm një pikë, në raport me pikët bëmë lojëra të mira. Por në fund është rezultati që numërohet dhe ne shpresojmë në këto eliminiatore, ndryshe nga grupi i shkuar ku kishim skuadra shumë të forta, të bëjmë më mirë. Kemi besim te futbollistët dhe eksperienca që ata kanë marrë”, përfundoi Fadil Vokrri.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb