TIRANE- Komisioni i Ligjeve diskuton në mbledhjen e sotme buxhetin për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kryetarja e këtij institucioni, Lefterie Luzi, tha se në fondet e parashikuara për 2016 ka një ulje me 3 mln lekë në investime. Luzi kërkoi fonde shtesë në buxhetin e KQZ-së, duke u shprehur se duhet të investohet për automjetet të cilat janë që prej vitit 1996, dhe tashme janë amortizuar.

“Duam shtesë 8 mln lekë për mirëmbajtjen e godinës”, tha Luzi.

Por lidhur me këtë reagoi deputeti Fino, i cili tha se “Problemi kryesor i KQZ është struktura”.

Kryetarja e KQZ tha se “Fondet e trashëguara në periudha jashtëzgjedhore janë të njëjta. Ne punojmë shumë dhe me donatorë, dhe fondi që na jepet nuk i përgjigjet e punës që bëjmë”.

“17.4 milionë nevojiten për mallra dhe shërbime, dhe 19 milionë për rishikimin e strukturës së KQZ”, tha Luzi.

“I shënova shifrat por duhet rakordim me Ministrinë e Financave”, u shpreh Fino.

“Sa i takon strukturës së KQZ jemi para strukturës që ishte që në 2002 dhe nuk janë reflektuar ndryshime. Është bërë e domosdoshme ndryshimi i kësaj strukture dhe duam të ndërhyjmë në disa drejtori si e ajo e financës, që duam ta shtojmë me një sektor që ka të bëjë me auditimin e financave të partive, si dhe drejtorinë e marrëdhënieve me jashtë dhe drejtorinë e trajtimit të zgjedhësve”, tha Luzi.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb