TIRANË- Projektbuxheti i vitit 2016 ka kaluar për diskutim edhe në komisionin parlamentar të ligjeve, ndërsa është diskutuar buxheti për Ministrinë e Brendshme. Në diskutimin e buxhetit për MPB, kanë munguar deputetët e opozitës.

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u shpreh i kënaqur nga buxheti i caktuar dhe tha se është i mjaftueshëm, pasi ka një rritje me 6% nga viti i kaluar.

“Sa i takon buxhetit të ministrisë është 19.9 miliardë lekë rritje prej 6% me buxhetin e vitit 2015. U rritën me 25% pagat e punonjësve të policisë me buxhetin e kaluar. Gjatë prezantimit të buxhetit nga Tahiri janë në mbledhje vetëm deputetët Fino dhe Peza si dhe kryetari Xhafa. Siguria në 2012 i kushtonte një qytetari 108 lekë të vjetra në ditë.  Sot e kemi rritur 137 lekë të vjetra në ditë për çdo qytetar, pra buxheti është rritur mbi 30% i investimit për më shumë siguri. Buxheti do shkojë për investime për policinë e shtetit, për repartin RENEA, laboratorin e kriminalistikës etj. Investimi për sigurinë sjell mbrapsht më shumë siguri për qytetarët”, deklaroi Tahiri.

Ndërsa kreu i komisionit, Fatmir Xhafaj tha se është rasti i parë që opozita mungon kur është prezantimi i buxhetit të shtetit. “Nuk është përgjegjësia ime që mungojnë, që në komision janë vetëm dy deputetë dhe kryetari i komisionit”, tha Xhafaj.

Deputeti Fino ka pyetur ministrin Tahiri nëse është i mjaftueshëm buxheti i përcaktuar.

“I përballoni emergjencat me këtë buxhet që kërkoni? Rezervat e shtetit që janë rritur vetëm me 6 milion lekë janë në gjendje të përballoni situatat që do ju dalin para”, tha Fino.

Ndërsa ministri Tahiri u shpreh se buxheti për emergjencën është rritur me 25%, sipas tij rritje e konsiderueshme. “Pyetjes nëse do përballonim dot çdo fatkeqësi natyrore për këtë nuk përgjigjem dot. Por ne do marrim masat e mundshme për çdo pasojë ndaj fatkeqësive natyrore te cilat jane te paparashikueshme. Kemi shkatërruar në 25 vite infrastrukturën parandaluese për çdo fatkeqësi. Investimi ynë kryesor të ndërtojmë hartën e rrezikut në vend. Me buxhetin e këtij viti nuk kemi ç’bejme dot edhe nëse do e kishim më shumë se 25% pasi jemi të ekspozuar ndaj fatkeqësive natyrore për gabime që ja kemi toleruar vetes në kohë. Me kaq sa kemi shkatërruar në 25 vjet dhe mungesën e vullnetit të shtetit edhe sikur të kemi rritje më të madhe s’mund t’ia dalim kurrë për të ç’bërë masakrën që është bërë në 25 vjet”, tha Tahiri.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb