Ndërsa Kryeministri Edi Rama prezanton në çdo qark ligjin për bashkëqeverisjen, sot në Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore do të shqyrtohet Dekreti i Presidentit të Republikës, Ilir Meta “Për kthimin e ligjit nr. 107/2021 “Për Bashkëqeverisjen”, shoqëruar me arsyetimin e detajuar.

Presidenti Meta nuk e dekretoi me miratim këtë ligj pasi sipas tij cenon dispozita konkrete të Kushtetutës dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës, parimin e autonomisë vendore, parimin e sigurisë juridike, hierarkinë e akteve, si dhe centralizon edhe më shumë kontrollin dhe pushtetin tek një institucion në varësi direkte nga Kryeministri.

Po kështu Presidenti arsyeton se procedura e ndjekur për miratimin e ligjit nr. 107/2021, është realizuar në shkelje flagrante të parashikimeve të ligjit nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”.

Ai deklaron se bie ndesh, krijon mbivendosje dhe nuk është në harmoni me parashikimet e ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”.

Kreu i Shtetit thekson më tej në arsyetimet për kthimin e ligjit për Bashkëqeverisjen se bie haptazi ndesh me ligjin nr. 10385, datë 24.02.201, “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, i ndryshuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb