Gazetari Alfred Lela duke folur për ligjin anti-KÇK, i prezantuar nga kryeministri Edi Rama tha se është njësoj sikundër “Fundi i Marrëzisë” apo “Forca e ligjit”, të prezantuara më herët dhe që në fund kanë rezultuar vetëm një flluskë sapuni.

Për Lelën, qeveria po bën thjesht një fushatë elektorale dhe asgjë më shumë.

Unë mendoj se nuk mund të themi nëse politikanët kanë ligje të mria ose jo, nëse nuk i kthehemi të kaluarës. Unë dua t’ju kujtoj nisma edhe më herët me bujë të kësaj qeverie. Sigurisht që z. Lleshaj nuk është fajtor për të gjitha, pasi nuk ka shumë kohë në këtë qeverisje. Kujtoni “Fundin e Marrëzisë”, kujtoni policinë e Tahirit, “Policia që duam”, “Forca e ligjeve”, u tha se “do bëjmë namin me të fortët e lagjeve” etj. Kanë rezultuar të gjitha marrëzia e fundit. Pra, u mbars mali dhe polli një mi, kjo është tradita. Më duket një flluskë e komunikimit publik. Jam i bindur se kjo do harrohet, si përherë.

Jemi në kushtet e një qeverie që na ka qeverisur për 6 vjet, ka nga ata që thonë ka keq-qeverisur. Kjo qeveri në fund të mandatit na thotë se do bëjmë namin tani në fund. Unë e shoh si fushatë elektorale. Unë sa pashë Edi Rama sot hapi fushatën elektorale. Në skenar dhe në regji ishte si hapje e një fushate elektorale. Jemi në një inerci të madhe”, deklaroi Lela.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb