TIRANË- Ligji për Arsimin e Lartë i kundërshtuar nga stafet akademike dhe studentët ishte në qendër të një takimi që Presidenti, Bujar Nishani zhvilloi sot me ministren e Arsimit, Lindita Nikolla. Ky është takimi i dytë që Kreu i Shtetit bën për ligjin e Arsimit të Lartë, para se të marrë vendimin për dekretimin ose jo të tij.

Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi si shumë pozitiv vullnetin dhe angazhimin e qeverisë në ndërmarrjen e reformës në Arsimin e Lartë duke u shprehur se: “Reformat duhen bërë sipas kritereve dhe parimeve ligjore të sanksionuara në Kushtetutë si dhe duke ndjekur modelet më të mira ekzistuese.”

Presidenti Nishani dhe Ministrja Nikolla së bashku me Zëvendësministrin Mazniku diskutuan gjerësisht për Ligjin e ri të Arsimit të Lartë duke e konsideruar atë si shumë të rëndësishëm për edukimin sa më cilësor të brezave të rinj dhe me një ndikim të madh në të ardhmen e vendit.

Presidenti Nishani dhe pjesëmarrësit në takim shkëmbyen gjithashtu mendime dhe pikëpamje lidhur me vlefshmërinë ligjore dhe kushtetuese të këtij ligji, me të mirën publike dhe mbrojtjen e përfaqësimin sa më të mirë e gjithëpërfshirës të interesave të studentëve, profesorëve dhe pedagogëve shqiptarë.

NIKOLLA: LIGJI SJELL PËRMIRËSIME PËR STUDENTËT DHE PEDAGOGËT
Pas takimit që ka zgjatur rreth 2 orë Nikolla tha se ka siguruar Presidentin për përmirësimet që sjell ky ligj si për studentët ashtu edhe për pedagogët. “Siguruam Presidentin se ligji sjell përmirësime për studentët dhe pedagogët. Po ashtu, në përputhje me Kushtetutën ai i garanton çdo studenti që të ndjekë institucionet e arsimit të lartë sipas meritës”, tha Nikolla.

Ajo pohoi se takimi me Kreun e shtetit u karakterizua ‘nga debati i qetë, konstruktiv dhe i shëndetshëm, si pjesë e besimit të një institucioni të rëndësishëm, siç është ai Presidentit të Republikës”.

Pak ditë më parë, Presidenti dëgjoi mendimet e akademikëve dhe pedagogëve të disa universiteteve. Ata i kërkuan të mos e dekretojë ligjin e miratuar nga mazhoranca në një seancë të posaçme më 21 korrik, pasi sipas tyre bie ndesh me Kushtetutën e jurisprudencën si dhe cenon autonominë e institucioneve të Arsimit të Lartë.

Në takimin konsultativ të së hënës, Presidenti Nishani tha se do të jetë garant i Kushtetutës lidhur me respektimin e së drejtës për arsimim dhe autonomisë së institucioneve.

Presidenti Nishani pas takimiti me Nikollën është takuar me disa rektorë të universiteteve private në vend. Në takim kanë qenë Mariglen Spiro i Marin Barletit, Fatos Tarifa i New Jorkut, Tonin Gjuraj i UET dhe Kujtim Çashku i Marubit. Takimi ka zgjatur gati dy orë dhe rektorët i kanë kërkuar Kreut të Shtetit të dekretojë ligjin për Arsimin e Lartë.

(m.k/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: